Ministri gjerman i Shëndetësisë paralajmëron se pandemia e koronavirusit nuk ka mbaruar

Pandemia e koronavirusit ende nuk ka përfunduar, paralajmëroi ministri gjerman i Shëndetësisë Karl Lauterbah.

Ai theksoi se ka rritje të konsiderueshme të numrit të të infektuarve në disa vende aziatike, si Koreja e Veriut, por edhe në pjesë të Evropës.

“ Edhe në Gjermani, mesatarisht 130 deri në 150 njerëz vdesin çdo ditë nga Kovidi. Qëndrimi se pandemia është mposhtur është i gabuar,” u tha Lauterbah gazetarëve në Berlin.

Advertisements

Sot dhe nesër ai po zhvillon një takim dyditor me kolegët e tij nga Grupi i Shtatë vendeve më të industrializuara.

Ministri amerikan i Shëndetësisë Ksavier Bisera do të merrte pjesë personalisht në takim, por dje në Berlin mori test pozitiv për koronavirusin. Ai do të marrë pjesë në takim përmes video linkut.