Shkup, 22 shkurt – Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, me ftesë të zëvendëskryetares së Qeverisë dhe ministre e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, të hënën do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Republikën e Bullgarisë.
Në takimin me Zaharievën, siç kumtoi MPJ, do të shkëmbehen mendime për marrëdhëniet gjithëpërfshirëse bilaterale mes të dy vendeve dhe për mundësitë për përforcimin dhe avancimin e bashkëpunimit të ardhshëm në më shumë sfera me interes të përbashkët.
Në kuadër të vizitës, është paraparë që Dimitrovi të pritet nga presidenti i Republikës së Bullgarisë, Rumen Radev.
Vizita po realizohet vetëm disa ditë pas ratifikimit të Protokollit për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO.