Zejnulla VESELI
Shkup, 22 shkurt – Ministri britanik për Evropë dhe Amerikë, Sër Alan Dankan, të premten (24 shkurt) do të vizitoj Maqedoninë dhe do të realizojë takime me presidentin Gjorgje Ivanov dhe liderët e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Parlamentin e Maqedonisë. Sipas ambasadës britanike në Shkup, ministri për Evropë dhe Amerikë, Dankan në këto takime do të diskutojë për situatën aktuale politike, nevojën për reforma të rëndësishme që do të mundësojnë anëtarësimin në NATO dhe BE, planet e tyre për të ndërtuar një shtet të begatshëm dhe gjithëpërfshirës. Sër Alan Dankan njëherësh do të takohet edhe me pjesëtarë të shoqërisë civile të Maqedonisë, institucione që merren me sundimin e ligjit dhe të tjerë. Nga ambasada britanike në Shkup informuan se para vizitës së tij, Dankan ka deklaruar se Ballkani Perëndimor është një rajon i rëndësishëm për Mbretërinë e Bashkuar. “Ne jemi të angazhuar për të luajtur një rol aktiv dhe mbështetës. Gëzohem që vizita ime do të bazohet mbi zhvillimin e mundësisë për bashkëpunim në të ardhmen në fushën e reformave, sigurisë dhe prosperitetit. Një kohë të gjatë e mbështesim Maqedoninë në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, ku kërkohet progres i rëndësishëm në reforma. Natyrisht, sfida mbetet dhe unë jam këtu t’i dëgjoj politikanët dhe anëtarët e shoqërisë civile me qëllim që t’i kuptoj se si Mbretëria e Bashkuar mund të mbështesë Maqedoninë të mbetet një vend stabil dhe i sigurt”, ka thënë Sër Alan Dankan, duke porositur se angazhimi i Britanisë së Bashkuar për rajonin e Ballkanit është i palëkundur. “E kuptoj që vizita ime ndodhë në një moment tejet të rëndësishëm në politikën e Maqedonisë, ku partitë tuaja politike punojnë në drejtim të formimit të Qeverisë. Dua të përcjell këtë porosi shumë të qartë e të thjeshtë se, Mbretëria e Bashkuar është një mik i madh i Maqedonisë dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim çdo Qeveri të Maqedonisë që punon në reforma thelbësore”, ka deklaruar Dankan në prag të vizitës së Maqedonisë. Ai poashtu ka thënë se çdo vend është i ndryshëm, por për politikat dhe veprimet e ndërmarra nga ana e Qeverisë së Maqedonisë vendos populli i Maqedonisë. “Ne kemi shumë kujdes për vlerat e përbashkëta demokratike që ndajnë vendet tona dhe do të vazhdojmë të mbështesim Maqedoninë që të jetë një partner i qëndrueshëm, i sigurt dhe i suksesshëm. Ju keni përzgjedhur anëtarësimin në NATO dhe në BE si zgjedhjen më të mirë strategjike për vendin, dhe unë plotësisht pajtohem me këtë. Rruga e anëtarësimit në BE dhe NATO është thelbësore për stabilitetin e Maqedonisë, madje edhe në drejtim të sigurisë në rajon më të gjerë të Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Dankan. Ministri Britanik për Evropë dhe Amerikë në vizitën e tij në Maqedoni është shprehur se do t’i dëgjojë pikëpamjet e liderëve politik dhe liderëve të shoqërisë civile, ndërsa shpreson që do të jenë të hapur për sfidat me të cilat ballafaqohen dhe shprehet tejet i bindur se do të ketë diskutime progresive lidhur me atë se çka mund të bëjmë së bashku për t’i tejkaluar. (koha.mk)