Shkup, 4 korrik – Ministri i Kulturës, Asaf Ademi, priti ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë, Shkëlqesinë e tij, Fatos Reka.
Në takimin e zhvilluar në Ministrinë e Kulturës, të dy bashkëbiseduesit shprehën kënaqësi nga shkalla e deritanishme e bashkëpunimit në fushën e kulturës ndërmjet dy vendeve fqinje dhe miqësore.
Republika e Maqedonisë dhe Republika e Shqipërisë ndajnë interesa të ngjashme në plan të jashtëm-politik, në kuadër të bashkëpunimit rajonal, BE dhe NATO.
“Intensiteti i vizitave të realizuara dypalëshe në të gjitha nivelet është një nga treguesit më të mirë të cilësisë së marrëdhënieve të ndërsjella”, theksoi ministri Ademi.
Në kuadër të kësaj, edhe një herë e theksoi nevojën për thellimin e bashkëpunimit intensiv mes dy vendeve. Ambasadori shqiptar, Fatos Reka, e theksoi rëndësinë e mbështetjes reciproke në kuadër të bashkëpunimit kulturor mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, veçanërisht në pjesën e bashkëpunimit ndërmjet të rinjve, duke përmendur mbështetjen e UNESKO-s për krijimin e klubeve nga Maqedonia ku së bashku me partnerët e saj nga Shqipëria realizuan disa aktivitete në kuadër të projektit “Mirëkuptimi dhe respektimi i diversitetit kulturor – inkurajim për bashkëpunimin kulturor për dhe nga të rinjtë”.
Qëllimi i projektit ishte të avancohet bashkëpunimi kulturor mes të rinjve nga Republika e Maqedonisë dhe Republika e Shqipërisë, të stimulohet mirëkuptimi dhe vlerësimi i dallimeve dhe traditave kulturore nëpërmjet teknologjive të informacionit dhe komunikimit.