Shkup, 12 tetor – Në suaza të vizitës së tij të punës në manifestimin më të madh letrar në suaza evropiane, Panairi i Librit në Frankfurt, ministri i Kulturës Asaf Ademi, sot realizoi takim me strukturat udhëheqëse të Panairit, me drejtorin për bashkëpunim ndërkombëtar Tobijas Vos dhe me drejtorin të përgjithshëm ekzekutiv Jurgen Bos.
Siç kumtoi Ministria e Kulturës, në takimet Ademi ka shprehur kënaqësinë që Republika e Maqedonisë prej disa vitesh është e pranishme në Panair duke potencuar se ky manifestim është një mundësi e bukur, që përpara opinionit evropian dhe botëror të kulturës që prezantojë pasurinë e një kulture nacionale, politikat aktuale kulturore të një shteti, nivelin e zhvillimit të aktivitetit botues, por edhe potencialet tjera ekonomike, turistike dhe aspekte të tjera.
“Republika e Maqedonisë është një mjedis bashkëkohor kulturor letrar dhe prezantimi i autorëve nga Republika e Maqedonisë dhe krijimtarisë së tyre në rang ndërkombëtar është prioritet i Ministrisë së Kulturës”, ka deklaruar Ademi.
Në takimet e zhvilluara janë informuar bashkëbiseduesit se në Republikën e Maqedonisë bëhen përpjekje për të lehtësuar depërtimin e autorëve në tregun ndërkombëtar, përmes masave të ndryshme, si Konkursi për botues të huaj. Ademi njëherazi i informoi edhe për përpjekjet për të bërë sa më efektive punën e Agjencisë së Posaçme për Librin, e cila në të ardhmen do të kujdeset për të gjitha aktivitetet që lidhen me veprimtarinë letrare dhe botuese.
Në takimet me drejtorin për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe drejtorin ekzekutiv u shkëmbyen ide rreth përvojave dhe praktikave që mundësojnë promovimin efikas të një shteti në këtë manifestim të madh ndërkombëtar.
Po ashtu u shpreh edhe interesi për një bashkëpunim më të madh me botuesit gjermanë dhe autorët, si edhe gatishmëria dhe interesimi për një bashkëpunim më të madh për prezantimin shtetëror të Republikës së Maqedonisë në kuadër të programit „Të ftuar nderi“ (Guest of Honour) të Panairit të Librit në Frankfurt.
Ademi ka shprehur bindjen e tij se Republika e Maqedonisë dhe Ministria e Kulturës do t’i investojnë të gjitha kapacitetet dhe mundësitë e tyre për një prezantim sa më dinjitoz të shtetit tonë në këtë panair prestigjioz.
Në orët e pasdites ministri i Kulturës do të takohet edhe me drejtorin ekzekutiv të “Traduki”, ku Republika e Maqedonisë është anëtare fuqiplote që nga nëntori i vitit 2017.