Shkup, 16 shkurt – Ministri i obliguar për Diasporë, Edmond Ademi, në shoqërim të drejtorit të Agjencisë për Migracion, Nikolla Shallvarinov prej sot deri më 19 shkurt do të qëndrojnë për vizitë zyrtare në Mbretërinë e Danimarkës dhe të Suedisë.
“Gjatë vizitës, ministri Ademi do të mbajë takime me përfaqësuesit e diasporës nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Danimarkë, ndërsa veçanërisht do të realizojë edhe takime me biznesmenët nga radhët e diasporës sonë në Danimarkë, me ç’rast do t’i prezantojë edhe kushtet e fundit për ndihmë financiare që Qeveria e ofron për diasporën tonë. Plotësisht ministri do të takohet edhe me përfaqësuesit e diasporës e cila jeton në Malme, Suedi. Në Malme mes tjerash do të realizohet edhe prezantimi dhe debat publik për Strategjinë kombëtare të Republikës të Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim me Diasporën”, kumtoi kabineti i ministrit Ademi.
Përveç takimeve me Diasporën, ministri Ademi do të realizojë takime bilaterale edhe me ministrin danez për emigrim, integrim dhe akomodim, Inger Stojberg, si dhe takim me zëvendësshefin e Repartit për fqinjësi evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Alan Peg Kristensen.
Fokusi i takimeve me bashkëbiseduesit, do të vendoset në mundësitë për bashkëpunim në fusha të ndryshme në interes të përparimit të pozitës së diasporës tonë dhe inkluzivitetin e tyre në jetën ekonomike, politike, sociale dhe kulturore në Danimarkë.
Plotësisht, në takimet me bashkëbiseduesit e tij, ministri Ademi do të bisedojë edhe për bashkëpunimin bilateral dhe përparimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve në të gjitha fushat nga interesi i përbashkët, si dhe për ngjarjet aktuale politike në vendin tonë.