Ministrat e shëndetësisë të vendeve nga Procesi i Berlinit u dakorduan për koordinim më të mirë në luftën me Kovid-19, dje në vend 640 të infektuar

23

Shkup, 23 tetor –  Janë regjistruar 640 raste të reja me Kovid-19, 143 pacientë janë shëruar dhe 12 kanë vdekur, tregon bilanci i 24 orëve të kaluara.

Të vdekurit janë të moshës 63 deri 89 vjeç. Dy janë nga Velesi, shtatë nga Shkupi, një nga Prilepi, një nga Shtipi dhe një nga Strumica. Të gjithë vdiqën në spital.

Aktualisht më shumë raste aktive ka në Shkup – 3.174, ndjekur nga Strumica – 383, Tetova – 345, Kumanova – 290 dhe Prilep – 278. Numra treshifrorë ka në Koçan, Shtip, Manastir, Kavadar, Ohër, Veles, Gostivar dhe Kërçovë.

Raste aktive sipas komunave në Shkup ka në Aerodrom – 631, Karposh – 511, Qendër – 484, Gazi Babë – 379, Kisella Vodë – 366, Gjorçe Petrov – 255, Çair – 151, Butel – 127, Ilinden – 51, Sopishte – 26, Saraj – 21, Petrovec – 20, Shuto Orizar – 19, Çuçer Sandev – 12, Haraçinë – 10, Zelenikov – 8, Studenican – 6. Midis rasteve aktive në territorin e Shkupit ka 16 të huaj dhe 81 të pa shpërndarë.

Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me Kovid në vend që nga fillimi i epidemisë është 25 473, numri i pacientëve të shëruar arriti 18. 047, numri i vdekjeve është 874 dhe aktualisht numri i rasteve aktive në vend është 6552.

Deri tani në vend janë bërë gjithsej 229.246 testime të Kovid-19.

Në 24 orët e fundit, 20 pacientë u pranuan në Klinikën e Sëmundjeve Infektive, ku janë shtruar gjithsej 115 pacientë, nga të cilët 90 pacientë janë me mbështetje të oksigjenit dhe nuk ka asnjë pacient me ventilim mekanik.

Në spitalin e Kozles janë hospitalizuar shtatë fëmijë dhe pesë nëna pozitive në Kovid-19, tre fëmijë dhe tre nëna dyshohen për virus.

Në SPQ “8 Shtatori”  janë pranuar shtatë, ndërsa janë hospitalizuar gjithsej 47 pacientë. Në respirator janë katër pacientë.

Në spitalin e Manastirit janë hospitalizuar 43, ndërsa në spitalin e Shtipit janë 53. Në repartet infektive në Tetovë, Ohër, Veles, Kumanovë, Prilep, Gostivar, Strumicë, Strugë, Koçan dhe Kavadar janë hospitalizuar 262, pozitiv dhe të dyshuar në Kovid-19. 

Tre infermiere nga Klinika Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë janë pozitive në Kovid-19. Janë infektuan përmes kontakteve familjare, kurse dy mjekë, përfshirë drejtoreshën e Klinikës, Viktorija Jovanovska, janë në vetë-izolim për shkak të anëtarëve të infektuar të familjeve të tyre.

“Në këto shtatë muaj, askush nuk është infektuar në Klinikë. Nuk ka rrezik nga infektimi i pacientëve dhe personelit. Nga e hëna do të testohemi përsëri, të kemi test negativ dhe do të shkojmë në punë”, shtoi Dr. Jovanovska.

Tridhjetë e katër nxënës të klasave të dyta nga shkolla fillore e Shtipit “Tosho Arsov” dhe dy mësuesit e tyre shkojnë izolim, pasi që kishin mësim fizik nga mësuesi i lëndës i cili është pozitiv në koronavirusin.

Ekspansion i koronavirusit në të gjithë rajonin dhe më gjerë dje bëri që ministrat e shëndetësisë të mblidheshin së bashku për një takim si pjesë e Procesit të Berlinit për të shkëmbyer përvoja dhe për të koordinuar më mirë për ballafaqim më të suksesshëm me krizën. Përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Italia dhe Polonia, si dhe përfaqësues nga BE-ja dhe disa organizata të kujdesit shëndetësor morën pjesë në diskutim.

Filipçe u falënderua për mbështetjen nga të gjitha kompanitë, ambasadat, vendet nga BE-ja të cilat dhanë ndihmë në mbrojtjen mjekësore, por edhe mjetet për përforcim të sistemit shëndetësor në kushte të Kovid-19. Ai i informoi pjesëmarrësit për mbështetjen dhe katër pakot e masave nga Qeveria për ndihmë qytetarëve dhe kompanive dhe sqaroi si funksionon sistemi shëndetësor në kushte të Kovid-19.

“Sistemi shëndetësor prej fillimit të krizës është riorganizuar tërësisht. Në repartet infektive ku po trajtohen pacientë me Kovid-19 punojnë mjekë dhe infermiere sipas sistemit të rotacionit. Çdokund në rajon, Evropë dhe botë, numri i rasteve të fundit dhe të hospitalizuarve po rritet. Shpresoj se rezultati nga ky takim do të jetë vendosja e sistemit të këmbimit më të mirë të përvojave lidhur me pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi së bashku me vendet në rajon. Është jashtëzakonisht me rëndësi me vendet nga Ballkani Perëndimor të vendosim koordinim më të mirë me qëllim të përballjes më të suksesshme me krizën nga Kovid-19”, potencoi Filipçe.

Dje u regjistruan 899 kundërvajtje për mos mbajtje të maskës në territorin e Republikës së Maqedonisë të Veriut.

Ministria e Punëve të Brendshme u bën apel qytetarëve që të respektojnë masat dhe protokollet e miratuara nga Qeveria, në mënyrë që të ballafaqohen me Kovid-19.