Ministrat e brendshëm të BE-së vendosën për zgjatjen e mbylljes së kufijve

585
Bruksel, 5 qershor – Ministrat e brendshëm të vendeve evropiane arritën një marrëveshje mbi kërkesën për të zgjatur mbylljen e kufijve të jashtëm të bllokut deri në fund të qershorit. Kjo masë ishte paraparë të skadonte në 15 qershor. Njoftimin e ri e bëri presidenca kroate në fund të video-konferencës së përbashkët.
“Jemi duke punuar për një deklarim që do të miratohet javën e ardhshme”,- tha komisionerja e çështjeve të brendshme e BE-së, Ylva Johansson. Ajo shtoi sakaq se funksionimi i plotë i zonës së Shengenit “pra në lëvizja e lirë të brendshme pa kontrolle kufitare” do të nisë në fund të qershorit.
KE-ja është përpjekur të sigurojë një heqje të kufizimeve të udhëtimit anekënd bllokut e cila të kryhet në mënyrë të koordinuar. Për këtë arsye, muajin që shkoi, ajo paraqiti dhe udhëzimet sesi mund të realizohet një gjë e tillë.
Johansson sqaroi se vendet anëtare janë duke ndjekur pikërisht orientimet e Komisionit sa i takon balancimit të situatës së shëndetit publik me koston ekonomike të pandemisë. Ajo u shpreh mjaft e kënaqur që vendet e BE-së po i largohen ngadalë kontrolleve kufitare. Ndërkohë virusi korona vazhdon të përhapet. Deri tani në nivel botëror numri i të infektuarve ka arritur në mbi 6 milion e 675 mijë persona, mbi 2 milion e 895 mijë janë shëruar ndërsa  391 mijë e 848 persona kanë humbur jetën.
Në Shqipëri janë regjistruar 15 raste të reja me Covid në 24 orët e fundit. Dy rastet u konstatuan pozitive pasi kishin marrë pjesë në një ceremoni mortore. Autoritetet kanë ndaluar çdo lloj aktiviteti me grumbullime masive njerëzish, dhe apelojnë  për respektim të masave. Ndërsa në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë edhe 11 pacientë të infektuar me COVID-19, ndërsa dy pacientë janë shëruar. deri tani në Kosovë janë evidentuar 1.147 raste me këtë virus me gjithsejtë 30 viktima. Ndërsa 874 pacientë janë shëruar.

Comments are closed.