Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) janë përpjekur të bëjnë presion publik ndaj Hungarisë, për të hequr veton e saj ndaj një embargoje të propozuar për naftën ruse. Për Lituaninë, blloku po “mbahet peng nga një shtet anëtar”.
Embargoja, e cila u parashtrua në fillim të majit nga Komisioni Evropian, do të ishte sanksioni më i rreptë deri më tani ndaj Rusisë. Ajo përfshin shkurtime për shtetet e BE-së, të cilat janë më të varura nga nafta ruse.
Por Hungaria, aleati më i ngushtë i Moskës në BE, ka thënë se kërkon qindra milionë euro nga blloku për të zbutur koston e heqjes së naftës së papërpunuar ruse. Sakaq, BE-së i duhet që të 27 shtetet të bien dakord për embargon, në mënyrë që të vazhdojë.
Peter Szijjarto, ministri i Jashtëm hungarez, ka pohuar se në horizont nuk duket ndonjë zgjidhje. Megjithatë, ministrat e BE-së nga Austria në Estoni, kanë thënë se do të ketë ende një embargo të naftës, edhe nëse do të duhej më shumë kohë për të arritur një marrëveshje.
Embargoja e naftës shihet si mënyra më e mirë për të reduktuar të ardhurat ruse për luftën në Ukrainë dhe që do të pasonte pesë raunde të sanksioneve të mëparshme të BE-së. Tanimë, ajo është vendosur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar./Albanianpost