Minima, një smartphone vetëm 7 centimetra (FOTO)

Nga iPhone 8 Plus tek Sony Xperia XA1, pjesa më e madhe e smartphone-ve më popullor të momentit në treg janë me ekran gjigant. Por teksa kjo mund ta bëjë më të lehtë për të parë filma apo për të luajtur, do të thotë se pajisjet po kthehen gjithnjë e më intruzive.

Me shpresën për të ulur impaktin e smartphone-ve në jetën tonë, një dizajner ka zhvilluar konceptin e një telefoni të vogël vetëm 7 centimetra e gjysmë. Pierrick Romeuf ka dizenjuar ‘Minima’, një smartphone në miniature që ka si qëllim të ndryshojë konceptin e përdorimit të telefonave inteligjentë.

Ndryshe nga telefonat e tjerë të vegjël, si rasti i Nokia 3310, Minima ka thuajse të gjitha cilësitë e një telefoni me përmasa të mëdha. Megjithatë ai është i dizenjuar për t’u përdorur më shumë si një mjet pune sesa si një telefon për të kaluar kohën me të.

Telefoni punon me një sistem operativ hibrid smartphone-smartwatch, që do të thotë se mund të instalosh çdo aplikacion në formë miniature. Pjesa ballore është me prekje, ndërsa nga pas ka tre butona dhe kamera. Pavarësisht konceptit tejet të detajuar, mbetet e paqartë nëse Romeuf planifikon që ta sjellë në jetë vizionin e tij.