Nëse tryeza e mini-Shengenit lë jashtë problematikat që lidhen me çështjet përmbajtësore, por ende të hapura, në mes të Kosovës dhe Serbisë, atëherë angazhimi i Edi Ramës për ta paraqitur këtë tryezë sa më të begatshme, del të jetë një punë me zarar
Nga Emin AZEMI
Gana ka tërhequr njohjen pavarësinë e Kosovës. Kështu ka bërë të ditur shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, që herët në një emision të mëngjesit, njofton gazetari shqiptar në Beograd Idro Seferi. “Ne do të vazhdojmë me këtë aktivitet. Jemi të angazhuar nga presidenti, qeveria, ministria e jashtme, kryetarja e parlamentit. Ne kemi në plan që dhe disa shtete deri në fund të vitit të tërhiqen dhe disa njohje. Kjo nuk është e lehtë pasi për këtë është dashur rreth një vit e gjysëm, kam qenë në Ganë, ministrja këu dhe presidenti është takuar në Nju Jork”, deklaroi Ivica Daçiq, ministër i Jashtëm i Serbisë.
Lobimi i Beogradit kundër njohjeve ndërkombëtare të Kosovës vazhdon me intensitet të pazvogëluar, dhe ky fakt nuk është marrë për bazë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, para se të bëhet bashkënismëtar i idesë së një Mini-Shengeni ballkanik. Ai, në një takim me mediat në Ohër i sqaroi bukur mirë përfitimet që dalin nga kjo nismë rajonale, mirëpo ai nuk foli se pse qytetarët e Kosovës kanë pengesa për të qarkulluar lirë me dokumente të shtetit të tyre nëpër Serbi, pse tabelat e Kosovës duhet të hiqen në pikat kufitare, pse Kosova ende është pjesë e Kushtetutës së Serbisë, pse diplomacia e Serbisë është aktive në pengimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare, pse Serbia ende nuk ka dhënë një përgjigje për të pagjeturit kosovarë, pse Serbia nuk ka paguar reparacion lufte në llogari të Kosovës, pse një pjese e Kosovës ende kontrollohet nga Serbia etj. etj.
Pra, Rama kur flet për Mini-Shengenin, aludon në shtetet që kanë marrëdhënie normale në mes veti, por nuk flet për marrëdhënie jonormale që kanë Serbia dhe Kosova. Ai nuk na tregoi se si, bie fjala, do të mund të udhëtojnë qytetarët e Kosovës nëpër Serbi dhe a do t’iu mundësojë kjo nismë rajonale kompanive kosovare që papengueshëm të transportojnë mallra në Serbi.
Edi Rama, Aleksandar Vuçiq dhe Zoran Zaev kanë mbajtur dy takime dhe janë në rrugë e sipër që ta finalizojnë këtë ide. Takimi i radhës do të mbahet në Durrës, mirëpo arsyetimet e deritanishme për formimin e Mini-Shengenit Ballkanik vuajnë nga mungesa e argumentimit të detajuar dhe nga hijet e transparencës.
Në parim, askush nuk është kundër ideve që lehtësojnë njerëzit dhe mallrat të qarkullojnë lirshëm, pa procedura dhe pengesa administrative. Dilema e vetme që mbetet ende e pasqaruar është ngutia për të formuar Mini-Shengenin Ballkanik dhe kjo po ndodhë mu në kohën kur në Kosovë ka një vakum institucional, ku transferimi i pushteteve ende nuk ka ndodhur plotësisht dhe kur Kosova ka një mal problemesh të pazgjidhura me Serbinë.
Tingëllon paradoksal entuziazmi i Ramës teksa mundohet të na bindë se sa i lezetshëm është ky Mini-Shengeni, ndërkohë që diplomatë të rëndësishëm që zbarkojnë në Prishtinë, në fjalinë e parë të tyre drejtuar liderëve kosovarë e shtrojnë me urgjencë domosdonë e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Nëse tryeza e Mini-Shengenit lë jashtë problematikat që lidhen me çështjet përmbajtësore, por ende të hapura, në mes të Kosovës dhe Serbisë, atëherë angazhimi i Edi Ramës për ta paraqitur këtë tryezë sa më të begatshme, del të jetë një punë me zarar. Me fjalë të tjera, kjo mund të jetë një tryezë e shtruar përmbys që zgjidh çështjen e ‘urisë’ vetëm për ata që janë të ngopur. (koha.mk)