“Mini Shengeni” paraqet një improvizim politik përderisa Kosova nuk trajtohet aty e barabartë për shkak se nuk njihet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kjo nismë në asnjë mënyrë nuk duhet të këtë ndikimi në rrugëtimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të rajonit drejt BE-së
Destan JONUZI
Shkup, 13 nëntor – Pjesëmarrja apo bojkotimi i nismave rajonale, siç është rasti me “Mini-Shengenin” ballkanik, është çështje që i ndanë në dy anë, për dhe kundër, edhe njohësit e çështjeve politike dhe evropiane në Shkup, Prishtinë e Tiranë.
Katarina Sinadinovska nga Këshilli për Etik në media në prononcim për gazetën KOHA thotë se “Mini Shengeni”, nuk prodhon një Jugosllavi të re, por sipas saj, këtë iniciativë duhet parë përtej politikës ditore. “Nuk mund të them se me këtë nismë krijohet një Jugosllavi e re, përtej kësaj. kuptoj se kur flitet për bashkëpunim rajonal, ndërsa në të janë të kyçura vetëm një grup i vendeve, në Ballkanin e ndjeshëm – gjithnjë ka dyshime dhe motive. Të gjitha iniciativat që kanë të bëjnë me afrim ekonomik dhe politik të vendeve të Ballkanit janë për t’u përshëndetur. Përveç kësaj, në këtë teori ndikim mund të kenë edhe raportet mes Prishtinës dhe Beogradit. Ajo që është e rëndësishme për ne si shtet është të mbetemi të fokusuar në drejtim të zhvillimit, dhe këto iniciativa në asnjë mënyrë mos ti shohim si një zëvendësues apo edhe një përpjekje për të zëvendësuar atë që është qëllimi ynë kryesor – anëtarësimi i plotë në BE”, shprehet Sinadinovska. Nga ana tjetër, njohësja e çështjeve evropiane nga Tirana, Doriana Metollari vlerëson se të gjitha format e lirisë, përfshi dhe atë të lëvizjes së lirë, duhen përkrahur dhe favorizuar.
“Shqipëria duhet të mendojë të krijojë marrëdhënie korrekte sa më shumë dhe të hapet më botën, jo të mbyllet. “Mini Shengeni” absolutisht e favorizon këtë, dhe opinioni apo perceptimi se kjo marrëveshje është krijimi i një ‘Jugosllavie të re’, është paragjykuese nga pala kosovare, e cila besoj se reagon në këtë mënyrë nga frika e një izolimi të mundshëm, meqë Shqipëria afrohet me Serbinë. Kosova nuk duhet ti druhet këtij afrimi, por të jetë aktive në marrëdhënie dhe të mendojë për avantazhet që mund ti sjellë, jo të lidhet me mendimet dhe duart e veta. Duhet gjithpërfshirja dhe qasje pozitive”, deklaroi për KOHA, Metollari.
Analisti politik nga Prishtina, Ernest Luma konsideron se bota dhe rajoni duhet të udhëtojnë drejt integrimeve, e jo në të kundërtën. “Çështja në të cilën duhet pasur kujdes është ajo e ruajtjes dhe respektit të sovranitetit të vendeve e popujve. Në këtë rast, Kosova përbën nyjen e çështjes. Hapi i parë që do të duhej bërë rajoni, më specifik Serbia, do të ishte njohja e shtetit dhe Pavarësisë së Kosovës, pastrimi i Kushtetutës së Serbisë nga hipotekat e të së kaluarës dhe heqja e Kosovës nga Preambula e Kushtetutës serbe. Pra, zbritja e Beogradit zyrtar në realitetin e ri ballkanik, me Kosovën shtet i pavarur dhe sovran, dhe me Kosovën si palë të tillë në secilën tavolinë të rajonit”, thekson Luma, në deklaratën e tij për KOHA.
Sipas tij, pa vetëdijesimin e Serbisë dhe të secilit, çdo tentativë e tillë është e dështuar – edhe ideja e këtij “Mini Shengeni”. “Formati i shteteve të Beneluksit është, ndoshta më interesant, si model, por paraprakisht duhet njihet pavarësinë e njëri-tjetrit dhe Shengeni ballkanik duhet të projektohet si zonë më e gjerë e jo me tre-katër vende, të cilat gjithashtu, ende s’i kanë të shëruara plagët e luftërave të përgjakshme midis tyre. Pra, së pari njohjet e realiteteve të reja në Ballkan, pajtimet midis popujve, përmbyllja e dialogut, zgjidhe apo vënia kapak e çështjeve të hapura midis vendeve (kufijtë, dëmet e luftërave, borxhet, të zhdukurit etj)”, nënvizon ai. Ndërsa, për analistin Fadil Lepaja, ideja e Unionit, në parim nuk është aq problem sa është problem fakti se Shqipëria dhe Maqedonia nëse hyjnë në një Union të tillë, pa u njohur Kosova nga ana e Serbisë, ata do të bien në kundërshtim me vendimin për njohjen e Kosovës nga ana e Shqipërisë dhe Maqedonisë.
“Vuçiqi insiston se kufiri i saj me Maqedoninë dhe Shqipërinë është ai që sot njihet si kufi i Kosovës me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Pra, ka probleme ligjore, të cilat edhe z.Rama edhe z. Zaev duhet të mendohen mirë para se ti neglizhojnë, sepse mund të prodhojnë situatë të re, e cila do të krijojë probleme në relacion me Kosovën. Pra, ideja si e tillë, nëse Kosova do të ishte e njohur nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, nuk do të ishte diçka që do të duhej të na shqetësonte, si një union shtetesh të pavarura, me një politikë të përbashkët drejt BE, pra me synim integrimin në BE”, potencon Lepaja.
Ndryshe, më 10 nëntor, liderët e Ballkanit Perëndimor, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pa pjesëmarrjen e Kosovës, kanë miratuar një Deklaratë me një listë të përparësive dhe masave me të cilat synojnë të përmirësojnë bashkëpunimin rajonal. (koha.mk)