Prishtinë, 10 nëntor – Në cilat kuzhina po zihen projektet e Unionit Doganor të shteteve të Ballkanit Perëndimor, të Tregut të Përbashkët të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe së fundmi të Mini-shengenit ndërmjet këtyre vendeve?! Kështu shkruan në profilin e tij në Fejsbuk edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ndërsa akuzon se kjo çon në krijimin e një “Mini-Jugosllavie”. Mustafa komentet në Fejzbuk i ka bërë në vigjilje të Samitit në Ohër, ku po marrin pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Maqedonisë, Zoran Zaev.
“Në shikim të parë duken projekte atraktive, por në esencë qojnë në një Jugosllavi të re, me Shqipërinë e pa Kroacinë dhe Slloveninë. Janë ide që nuk i kemi përkrahur sa e kemi drejtuar qeverinë dhe nuk do ti përkrahim si Lidhje Demokratike e Kosovës, as në pozitë dhe as në opozitë. Ashtu siç nuk përkrahim ndryshimin e kufijve shtetëror të Kosovës. Kosova duhet të aspirojë tregun unik evropian, fillimisht mbi bazën e MSA-së që rregullon edhe doganat dhe të bëhemi pjesë e Marrëveshjes Shengen, ku janë shtetet e BE-së.
Marrëveshjet e Mini-shengenit lindi kur nuk u realizua projekti i ideuar në Serbi për Unionin Doganor dhe idea për Unionin Ekonomik të Vendeve të Ballkanit Perëndimor, për shkak të kundërshtimit të Kosovës dhe të Malit të Zi. Marrëveshjet e tilla qojnë në një situatë kur tatimet në kufi, qoftë TVSH-në, tatimin doganor, akcizën do ti mbledh në pjesën më të madhe Serbia për Kosovën (e cila nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës), sepse kemi kufirin me te gjatë më te, e në pjesët e tjera, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Kosova nuk kufizohemi tani për tani me asnjë nga vendet anëtare të BE-së. Prandaj me këtë marrëveshje sovranitetin tonë do ua kalonim vendeve fqinje, sepse siç dihet Shengeni (mini apo maxi) nënkupton politika unike të vendeve anëtare për kalimin e lirë të kufijve pa kontroll dhe kjo do të vlente edhe për Mini-shengenin e Serbisë dhe të përkrahësve të hegjemonisë së saj”, shkruan Mustafa.