Milwaukee Bucks është bërë skuadra e parë në NBA që ka siguruar një vend në plejof këtë stinor. Milwaukee të dielën mbrëma triumfoi me rezultatin 119:98 ndaj Philadelphia 76ers. Giannis Antetokounmpo me 31 pikë, 17 kërcime e tetë asistime ishte më meritori për fitoren, ndërsa Khris Middleton shtoi 25 pikë.
Milwaukee ka bilancin më të mirë në NBA aktualisht me 48 fitore e tetë humbje. Është në ritëm që t’i bashkohet Golden State Warriorsit të stinorit 2015-16 dhe Chicago Bullsit të stinorit 1995-96, si skuadrat e vetme në histori që kanë shënuar 70 ndeshje në stinor të rregullt.
Në të vërtetë sa i përket periudhës është kualifikimi më i hershëm i një skuadre për në plejof. Por, edhe stinori në NBA tash nisë pak më herët.
“Shijoni këtë të diel tifozë të Bucks. Është kualifikimi më i hershëm në plejof në histori të NBA-së. Nuk është ende as marsi”, ka shkruar zëvendës-presidenti i Milwaukeet, Alex Lasry në Twitter.
Plejofi i NBA-së nisë më 18 prill.