Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, është kundër korrigjimit të kufirit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ai ka thënë se është kundër korrigjimit, jo për shkak se dyshon në aftësitë e dy liderëve të Serbisë e Kosovës që të merren vesh rreth tij dhe ta implementojnë atë, por për shkak të asaj se cilat janë garancitë se idetë e tilla nuk do të vazhdojnë më tej edhe në Ballkan e në Evropë.
Në një bisedë për BBC në gjuhën serbe, Gjukanoviq pyet nëse korrigjimi do të thotë heqje dorë nga modeli i shoqërisë multietnike në Ballkan, a kthehemi në vitet 90-ta dhe a e kemi harruar luftërat e frymëzuara nga ide të tilla – që të krijohen kështu etnikisht dhe me fe homogjene Serbia e madhe, Kroacia e madhe, Shqipëria e madhe.
“Kush mundet që arsyeshëm edhe me bindje të dëshmojë se çdo korrigjim kufiri i motivuar etnikisht ose homogjen me fe, nuk është hap i parë? Për këtë duhet menduar gjatë dhe tërësisht… në mënyrë që të mos bëjmë hap në drejtim të gabuar dhe këtu e kështu të nxisim efektin domino me ide retrograde”, ka thënë Gjukanoviq.