Shkup, 16 tetor – Deputeti dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme, Antonio Milloshoski sot është thirrur në pyetje në Prokurorinë Publike Speciale për rastin “I fuqishmi”.
Milloshoski është i akuzuari i parë në rastin “I fuqishmi”, që PSP e paralajmëroi në mars të këtij viti kundër gjithsej 13 personave, në mesin e të cilëve janë edhe babai i tij kryetari i atëhershëm i komunës Makedonski Brod si edhe ish Lustratori i parë, Tome Axhiev.
Sipas dyshimeve të PPS-së, deputeti Milloshoski e ka shtyrë kryetarin e Makedonski Brodit ta manipulojë Këshillin e komunës dhe babait të tij t’ia shesë objektin në fshatin Izhishte, në të cilin ka qenë e vendosur komuna e Plasnicës. Pasi e ka kuptuar kryetari se është manipuluar ka kërkuar procedura të hetohet.
Për shitjen e objektit është organizuar ankand publik, të cilin kryetari i komunës nuk e ka publikuar në Gazetën Zyrtare dhe se i vetmi është paraqitur babai i deputetit, i cili e ka blerë objektin për 670 denarë më shumë se çmimi fillestar. Më pas me mashtrim në kadastër ka arritur objektin ta bart në emrin e tij, ndërsa i është shitur edhe tokë shtetërore me çmim prej 100 denarë për një metër katror edhe pse çmimi shitës ka qenë 400 denarë. Në këtë mënyrë ka përfituar shumë pronësore të kundërligjshme prej një milion e 795.800 denarë si edhe një milion e 176.000 denarë për blerjen e tokës.
Kur kryetari i komunës së Pllasnicës, Ismail Jajovski e ka kuptuar se është shitur objekti në të cilin është vendosur komuna nga Qeveria ka kërkuar ta hetojë situatën dhe komisioni ka përcaktuar se janë bërë shumë lëshime gjatë shitjes dhe se komuna ka shitur pronë që është e shtetit.
Sipas PPS, pasi është zbuluar se e ka manipuluar Këshillin e Komunës së Makedonski Brodit për objektin në fshatin Izhishte, që t’i hakmerret kryetarit të komunës Jajovski, deputeti Milloshoski i ka dërguar inspekcione në kompaninë e tij “Pucko Petroll”, ndërsa gjykatësi që e ka gjykuar rastin me pronën me kërkesë të tij ka qenë i lustruar dhe i është ndaluar ta kryejë veprimtarinë.
Në PPS dje në pyetje u mor ish-kryetari i Komisionit për Lustrim, Tome Axhiev, i cili me kërkesë të Milloshoskit e ka zbatuar lustrimin e gjykatësit nga Kërçova, me çka i është ndaluar ta kryejë veprimtarinë.