Tifozët prishtinas janë etur për titull të kampionit të Kosovës në futboll, trofe ky që po u mungon viteve të fundit. Etja vërehet edhe te drejtuesit e klubit, të cilët në vazhdimësi po bëjnë investime të mëdha jo vetëm për ta dominuar futbollin kosovar, por për ta bërë një skuadër të dinjiteshme edhe për garat evropiane. Por, problemi më i madh i dështimit po buron prej futbollistëve, të cilët gjeneratë pas gjenerate nuk po e arsyetojnë investimin e madh të klubit që po e bën tek ata. Humbja prej 3:0 nga Llapi e ka fustruar edhe kryesinë e klubit, e cila me fakte tregon se në vazhdimësi po ia bën hyzmetin titullit të kampionit me investime marramendëse, por që futbollistët nuk po i arsyetojnë epitetin “yje”. “Prishtina ka në përbërje ish-futbollistë të Kombëtares, portier të Përfaqësues A të Kosovës, si dhe njërin prej futbollistëve më të mirë të kampionatit shqiptar. Futbollistët e Prishtinës jo që janë më të paguarit në Kosovë, por krahasohen edhe me ato të kampionatit shqiptar, i cili është shumë larg rajonit për pagesa”, thuhet në një shkrim të publikuar në faqen zyrtare të klubit bardhekaltër. FC Prishtina ka treguar se vetëm për kampionatin e sivjetmë e ka ndarë një buxhet prej gati 1 milion eurosh vetëm e vetëm që ta sjellë titullin në kryeqytet, shumë kjo që megjithatë nuk po i jep impuls ekipit në fushën e blertë. “FC Prishtina sivjet pritet t’i harxhojë afër 900 mijë euro buxhet. Është kjo shifër e jashtëzakonshme pas luftës për vetë klubin dhe për futbollin kosovar duke u krahasuar edhe me edicionin 1987/88, kur Prishtina për herë të fundit garonte në ish-Ligën e parë federative e kur për dallim nga atëherë të hollat ishin të kontributit shoqëror, tani të gjitha janë nga xhepat privatë”, theksohet në artikullin e FC Prishtinës, e cila bën të ditur se pagat e majme të futbollistëve po i kryen me përpikëri të madhe, gjë që nuk po i kryen punë as kjo përkujdesje për ta marrë kryesimin e Superligës. “Çka na dhuruan futbollistët tanë në ndeshjen që thelloi hendekun nga vendi i parë në pesë pikë? Na dhuruan turpërim në shfaqjen e tyre, na dhuruan humbje turpëruese! As edhe një karton i verdhë për ndërhyrje të palejueshme e që tregon mungesë totale të luftës sportive!”, nënvizon FC Prishtina, duke bërë me dije se të gjitha shpenzimet do t’i publikojë në detaje e të cilat janë të verifikuara edhe nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).