Futbollistëve kosovarë po u ngrihet vlera ditë për ditë. Madje disa prej tyre në tregun e sotëm vlerësohen me miliona euro, shkruan gazeta “Zëri”. Kështu të paktën vlerëson “Transfermarkt”, uebsajti i specializuar për “peshën” e futbollistëve dhe i cili ua sjell renditjen e futbollistëve më të shtrenjtë kosovarë, të cilët po luajnë me sukses në klubet e ndryshme evropiane.
Granit Xhaka, më i shtrenjti
Granit Xhaka është futbollisti më i shtrenjtë kosovar momentalisht. Vlera e mesfushorit të Arsenalit në tregun ndërkombëtar është 35 milionë euro. Para shtatë vjetësh kartoni i përfaqësuesit zviceran kishte vlerë prej vetëm 400 mijë eurosh. Nëse e bëjmë një krahasim, vlera e Granitit është gati dymbëdhjetëfish më e madhe sesa e vëllait të tij Taulant Xhakës, i cili sot vlen 3 milionë euro. Xherdan Shaqiri është futbollisti i dytë më i shtrenjtë nga Kosova. Vlera aktuale e mesfushorit të Stok Sitit është 15 milionë euro. Para tre vjetësh Shaqiri ishte edhe më i shtrenjtë – kushtonte 20 milionë.
Nuk përfundon me kaq. Adnan Januzaj mbetet njëri prej futbollistëve më të shtrenjtë të atyre që kanë prejardhje nga Kosova. Vlera e kartonit të futbollistit të Real Sosiedadit është 8.5 milionë euro. Para tre vjetësh ish-lojtari i Mançester Junajtedit kushtonte 10 milionë euro. Vend në këtë listë zë edhe Etrit Berisha, i cili e ka arritur çmimin më të lartë në karrierë. Portieri kosovar i Shqipërisë dhe i Atalantës sot kushton 5.5 milionë euro, derisa para katër vjetësh ish-portieri i 2 Korrikut vlente 1 milion euro sa ishte lojtar i Kalmarit. Edhe Milot Rashicës po i rritet vlera çdo ditë. Para pak vitesh ai luante për Vushtrrinë në Kosovë, kurse tani në Holandë për Vitessen. Tani vlera e reprezentuesit të Kosovës është 5 milionë euro. Para dy vjetësh kartoni i Rashicës kushtonte vetëm 50 mijë euro, kurse tani po kërkohet nga gjigantë evropianë, sidomos në Itali. Reprezentuesi i Kosovës Valon Berisha sot kushton 4 milionë euro. Para një viti lojtari i RD Salzburgut kushtonte 3 milionë euro. Bersant Celina është njëri prej futbollistëve më të njohur të Kosovës. Kartoni i yllit të ri kosovar është 2.5 milionë euro. 2.5 milionë euro është edhe vlera aktuale e Valon Behramit. Veterani i mesfushës sot është 32-vjeçar, por para tre vjetësh kushtonte 16 milionë euro.
50-milionëshi Avdijaj
Donis Avdijaj është futbollisti me klauzolën më të shtrenjtë të shkëputjes së kontratës. Në fakt, Shalke vite më parë e kishte vlerësuar klauzolën e përfaqësuesit kosovar plot 50 milionë euro për klubet e interesuara për ta blerë atë. Vlera e mesfushorit ofensivë në tregun e futbollistëve sot është 2 milionë euro.