Sipas komunitetit të biznesit dhe njohësve të çështjeve ekonomike, premtimet për investime miliardësh duhet të kenë burimin e saktë të referimit, por edhe një plan konkret se ku dhe si do të realizohen investimet
Zejnulla VESELI
Shkup, 9 gusht – Paralajmërimet e fundit nga kryeministri Zoran Zaev sipas të cilit së shpejti pritet një bum investimesh në vlerë prej 5 miliardë euro, u pritën me skepticizëm nga popullata e Maqedonisë , kurse ekspertët ekonomik mendojnë se kemi të bëjmë me një premtim imagjinar që e kemi dëgjuar edhe më parë, shkruan gazeta KOHA.
Besnik Fetai profesor i ekonomisë shprehet se lehtë është të premtosh shuma të mëdha parash, por është vështirë të besosh se ky premtim është i realt apo i mundshëm, aq më tepër kur përveç kryeministrit askush tjetër nuk mund të ketë njohuri se nga do të sigurohen këto para.
“Ndoshta kryeministri ka informata të sakta se nga do të sigurohet kjo shumë prej 5 miliard euro. Këto para janë të mundshme, por kur bëhet fjalë për një investim kaq të madh, duhet të kalojnë vite që këto para të futen në zhvillimin ekonomik të vendit. Nga do vijnë dhe si do të sigurohen këto para, këtë e di vetëm kryeministri dhe askush tjetër”, thotë Fetai.
Deklarata të tilla pompoze ku premtoheshin miliarda, ishin dëgjuar edhe më herët, nga politikanë të garniturave të kaluara.
“Edhe 20 vite më parë u premtuan 1 milard dollarë investime në kohën kur zëvendëskryeministër ishte Vasil Tupurkovski. Më pas edhe kryeministri i Qeverisë së mëparshme Nikolla Gruevski premtoi investime prej 8 miliard euro brenda katër viteve. Për fat të keq, qytetarët dhe afaristët nuk i panë këto investime miliardësh. Tani kemi dhe premtimin kryeministrin aktual Zoarna Zaev. Lehtë është të jepen premtime, por kur nuk tregon burimit se nga do të sigurohen këto para dhe për çka do të investohen, premtimet e këtilla tingëllojnë shumë joserioze. Sa këto premtime janë të arsyeshme dhe realiste?. Kur nuk ka plan të detajuar dha afate se kur do të realizohen, atëherë i bie që të citohet përmenden kuturu shifra të këtilla”, nënvizon Besnik Fetai, profesor në Universitetit e Evropës Juglindore.
Edhe komuniteti i biznesin në Maqedoninë e Veriut pyesin si është mundur të kemi investim prej 5 miliardë euro, apo ndoshta edhe ky premtim do ta ketë të njëjtin fat sikurse edhe premtimet e mëparshme.
Mile Boshkov, kryetari i Konfederatës së Biznesit pyet nëse kryeministri aktual Zaev, këtë shumë e mbështet në tregues real sidomos kur bëhet fjalë për shuma kaq të mëdha apo edhe ky do të mbetet vetëm një premtim joserioz siç ndodhi me investimet e mëparshme të paralajmëruara nga Tupurkovski dhe Gruevski.
“Jo çdoherë realizmi i investimeve varet nga politikanët, por edhe nga punët se si zhvillohen në terren, nga mundësitë dhe kushtet që ofron administrata komunale për realizimin e këtyre investime dhe shumë faktorëve tjerë. Para se gjithash, së pari kryeministri duhet të del me projekte konkrete se ku do shkojnë këto para”, thotë Boshkov. Ai njëherit u shpreh se shpreson se organet kompetente shtetërore kanë plane dhe projekte të gatshme për realizimin e këtyre parave.
“Pra duhet të ketë plane konkrete si mundësi që kompanitë dhe administrata të dinë saktë se do të marrin pjesë dhe ata në realizmin e këtyre investime miliardëshe”, thotë Mile Boshkov, kryetar Konfederatës së Biznesit në Maqedoni. (koha.mk)