Zejnulla VESELI
Shkup, 4 maj – Sa më shumë që vonohet formimi i Qeverisë së re, aq më shumë rëndohet buxheti i Maqedonisë. E gjithë kjo si pasojë e mos realizmit të të hyrave të parashikuara për shkak të funksionimit të Qeverisë teknike me kompetenca të kufizuara, shkruan gazeta KOHA. Nëse së shpejti nuk formohet qeveria e re, ekspertët ekonomik paralajmërojnë krizë edhe më të rëndë ekonomike, ndërkaq mundësinë e vetme për daljen nga kriza e rëndë politike dhe ekonomike e shohin në rinovimin e bashkëpunimin me institucionet financiare ndërkombëtare, që të mund të sanohen të gjitha efektet negative ekonomike përmes huazimeve. Marjanço Nikollov, ekspert ekonomik, thotë se shpëtimi i vetëm i situatës së rëndë ekonomike në të cilën gjendet për momentin Maqedonia, është formimi i shpejtë i Qeverisë së re që të mund institucionet e vendit të funksionojnë me kompetenca të plota dhe të arrijnë t’i realizojnë operacionet ekonomike. “Zvarritja e procesit të zgjidhjes së Qeverisë së re ndikon shumë negativisht në zhvillimin e ekonomisë, e cila rezulton me zvogëlimin e të hyrave në buxhet. Mungesa e parave në buxhet cenon realizimin e planeve të parapara me buxhet e këtij viti. Vetëm formimi Qeverisë se re me kompetenca të plota, mund ta nxjerr vendin nga kriza e rëndë ekonomike”, thotë për KOHA, Nikollov.
Ndërkaq sa i përket mundësive për të vazhduar bashkëpunimin me FMN dhe BB, Nikollov thotë se së pari nevojitet stabilitet politik dhe institucione funksionale. “Marrja e kredive të reja nga FMN-ja dhe BB-ja dukshëm do të kontribuonin në zbutjen e efekteve negative për ekonominë e vendit, mirëpo duhet për fillim të shihet se me çfarë interesi do të merren këto kredi. Pastaj, efektet negative për ekonominë e vendit janë aq shumë të rënda sa nevojiten kredi në vlerë me miliarda euro që të mund Maqedonia të del nga kriza e rëndë ekonomike. Shpëtim do të ishte dhe emetimi i eurobondit të ri, i cili mund të ketë vlerën prej 700 milionë e deri më 1 miliard euro. Me siguri se nuk do të mungojnë dhe ndihmat financiare nga BE-ja, por e gjithë kjo do të varet se sa do të dinë ta luan këtë lojë Qeveria e re. Pra, për sanimin e efekteve negative Maqedonia ka nevoja për para të freskëta me miliarda euro që qeveria të mund të paguaj detyrimet e rrogave pensioneve, ndihmave sociale si dhe detyrimeve që ka ndaj biznesit privat”, thotë Marjanço Nikollov, ekspert ekonomik.
Ndërkaq, Fatmir Bytyqi, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, thotë se formimi shpejtë i Qeverisë se re njëherit, do të thotë implikimin e të gjitha ndihmave financiare si nga BE-ja por edhe nga USAID- i amerikan. “Mendoj se Qeveria e re me përkrahjen e plotë të BE-së dhe SHBA-ve, do të kthejë sundimin e ligjit dhe demokracisë së vendit që do të thotë përkrahje nga vete administrata e SHBA-së, por edhe USAID si dhe BE-së, të cilët me mekanizmat e tyre financiare jo vetëm që do të përkrahin proceset demokratike, por qartë do të identifikohen edhe si nevojë e Qeverisë së ardhshme që Maqedonia të del nga kriza e rëndë ekonomike ”, thotë Fatmir Bytyqi, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara