Shkup, 18 shtator – Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Goran Milevski realizoi takim pune me ambasadoren zvicerane Sibil Zuter, duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë së projektit të përbashkët “Zhvillim i balancuar i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës rajonal”, që synon projekte inovative dhe investuese me qëllim për të zvogëluar pabarazitë në rajonet e planifikimit.
“Projekti është mbështetur nga Agjencia zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim, ndërsa Ministria e realizon me sukses “, tha Zuter.
Siç theksohet në kumtesën nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, duke iu referuar rëndësisë së zhvillimit rajonal si një pikë kryesore në projektin aktual, Milevski shprehu mirënjohje për mbështetjen e Ambasadës zvicerane, duke theksuar miqësinë dhe bashkëpunimin bilateral midis dy vendeve.
Duke shqyrtuar aktivitetet aktuale të projektit, Zuter dhe Milevski shprehën kënaqësi nga zbatimi i suksesshëm, duke theksuar se ekziston angazhim i ndërsjellë për të vazhduar bashkëpunimin përmes fazës së dytë.