Dikur moti kur ata kishin vendosur ta themelojnë qeverinë e tyre, që në fillim kishin rënë në siklet a në hall të madh. Këtë “rehati” të tyre e kishte prishur një peshkatar nga “liqeni ortak” i Ohrit, i cili kishte propozuar që të formohet flota detare. Mandatari i habitur tha: “Çka na duhet flota detare, tregtare, ushtarake dhe ajo e peshkimit, që ne nuk kemi detin!?”
Nga Fadil LUSHI
Referendumin e paradokohshëm konsultativ që u organizua në Republikën e Maqedonisë unë nuk e kuptova dot me tamam! Se ishte formë e shprehjes së mendimit të popullit për një çështje shtetërore e shoqërore me rëndësi të veçantë…, se ishte paradë mode…, se ishte një parakalim kalorësish të vonuar të lirisë së vatanit a edhe e patriotëve të heshtur…, se (nuk)ishte as peshk as mish…, se ishte tavë turli a tavë Elbasani…, se ishte një dardhë që nuk u mor vesh se ç’bisht pati dhe në ç’pozitë e pati…, se ishte një referendum (anti)milet me brekë nëpër këmbë…, se ishte referendum me tapi partish politike (hiq mënjanë opozitën parlamentare)…, se ky referendum (nuk) e kishte kallëzuesin (e thjeshtë a të përbërë)…, se ku e kishte vendin kryefjala…, se ky referendum u përcoll a u ushqye me atë pseudo-retorikën e politikanëveme njësi mendimesh, veprimesh dhe pikëpamjesh të ndryshme…, se ishte një referendum i bezdisshëm dhe i mërzitshëm…, se ishte një kampanjëpër apo kundër referendumit, se ishte një fushatë më gjuhë të (pa)sinqertë, të pasinkronizuar dhe me ton a qëndrim agresiv,se ishte një shfaqje euforike a edhe një propagandë pompoze…, se votuesi a sovrani (nuk)e meritoi këtë retorikë-virtuale,primitive dhe nacionaliste prej politikanësh të ashtuquajtur “zotërinj, efendinj, gospoda a edhe çavo”…, se ishte një gjullurdi fillimvjeshte…, se ishte një zgjim i vonuar i vetëdijes politike…, se ishte një lojë futbolli që më parë e kurdisur…, se ishte një lojë teatrale me personazhe tragjikomike dhe të dorës së dytë…, se ishte një karabina e ndërtuar në pronë të huaj…, se ishte një dasmë pa zakone, pa zot, pa daulle dhe pa krushqinë e dhëndrit…, se ishte një referendum ku nuk u mor vesh se kush piu ujin në çezmën e dovletite kush e hëngri sapunin për djathë e shapin për sheqer…,se ishte trazim shpirtrash a e edhe fiqiresh…, se ky referendum ishte si ajo meseleja e qerrexhiut që rrëmbeu nusen pa bërë as një copë rrugë…, se ky referendum ishte njësoj si ajo puna e berberit që të rruan pa lagur,ose hem të vë plak, hem të rruan mjekrën…, se ky referendum ishte aksham-pazar politik…, se ishte si Ura e Gurit të Shkupit ku ca politikanë pro-lindje lozin kumar me ardhmërinë e “shtetit biblik”… e të tjera,një dreq i mallkuar e mori vesh .Ç’është e vërteta, unë që shkruaj këtë vështrim një gjë di se retorikës së partive politike si dhe kryeparëve të tyre, dedikuar referendumit, që në fillim iu anashkaluan dhe iu denigruan rregullat, parimet, stilet, mjetet, argumentet, provat bindëse, ajo forca e fjalës me vend dhe, së fundi, fryma humaniste si dhe emancipimi i institucionit-mendim ndryshe a edhe votë deliberative!
Ne, që ndërtuam paragrafin e mësipërm, do të bëjmë përpjekje që të mos i shtojmë e as të mos i heqim as një pikë a presje, jo pse (nuk)e qëlluam në shenjë, jo pse e shndërruam në një shkarravinë pa kurrfarë vlere, jo pse e shndërruam në një thes të mbushur me qymyr dushku, me kashtë dhe me lesh arapi, jo pse duam që për lexuesin ta bëjmë të kuptueshëm, jo pse duam ta kërkojmë zërin e arsyes së lexuesit tonë pa tarafe, po përkundrazi, dëshirojmë ta kuptojmë filozofinë dhe psikologjinë e turmës në referendumin popullor-konsultativ pavarësisht se shumica votuan për, ca kundër, ca që bojkotuan dhe të tjerë që abstenuan për qejfin dhe inatin e tyre homerik!Në këtë referendum morën pjesë të gjithë ata që (nuk)kanë shtrirë këmbët në qymezin e këtij vendi ku mezi frymohet…, në të (nuk)morën pjesë të gjithë ata që flasin standardin dhe dialektet e shqipes, ata që llafosen shkinisht, ata që flenë shqip, shkinisht, turqisht dhe ca të tjerë evgjitërisht…, ata që (nuk)dërdëllisin jerm, para dhe pas shpinës…, ata që (nuk)pëshpëritin qosheve shqip, shkinisht, otomanisht e evgjitërisht, ata që (nuk)gënjejnë njëri-tjetrin politikisht, ata që (nuk)fusin duart në xhepin bosh të miletit, ata që(nuk)pështyjnë shqip, shkinisht dhe ca tjerë edhe turqisht, ata që (nuk)fyejnë njëri-tjetrin shqip, kaurisht dhe evgjitërisht…, ata që (nuk)shtiren si të sëmurë për mend, ata që (nuk)sëmuren shqip, shkinisht, turqisht dhe ca të tjerë maxhupisht, ata që (nuk) sfidohen shqip, ata që herë pas herë kurohen shqip…, ata që (nuk) urrejnë shqip, ca shkinisht e të tjerë “otomanisht”…, ata që (nuk) fantazojnë tetovarçe, gostivarçe, dibrançe dhe strugançe për një… toptan shqip, ata që (nuk) shumohen shqip…, ata që (nuk)emocionohen shqip…, ata që nuk çoroditen shqip…, ata që (nuk)inatosen “halis arnavutçe”…, ata që (nuk)marrosen, dëshpërohen e që (nuk)mpaken shqip…, ata që (nuk)bëjnë politikë shqip…, ata që (nuk) bëjnë turizëm shqip…, ata që synetohen shqip…, ata që luajnë kumar shqip, ata që (nuk)ëndërrojnë shqip, ata që (nuk)moralizojnë shqip, që vjedhin bashkë shqip, maqedonisht dhe ca të tjerë nga pakica, ata që (nuk)premtojnë shqip, që rebelohen shqip, që çmendohenshqip, ata që (nuk)vishen e zhvishen fare shqip, ata që harrojnë maqedonisht dhe shqip, ata që (nuk)filozofojnë shqip, ata që (nuk)bëjnë analiza, vështrime, kolumna dhe editoriale boshe shqip(përfshi këtu edhe autorin e kësaj shkarravine), ata që (nuk)të lënë të rrugëtosh e të mendosh shqip, ata që (nuk) socializohet shqip dhe, në instancë të fundit, asnjëri prej nesh hiç farenuk sikletoset e nuk s(i)ëkëlldiset shqip sa u përket punëve që nuk na bëjnë.
E gjithë kjo zallamahirreth referendumit konsultativ, i gjithë ky fjalor që u përdor për referendumin nga organizatori, e gjitha retorika dhe të gjithë mysafirët që i grishëm nga Avrupa dhe i gjithë ky rrëmujëmadh i pandreqshëm, mua m’i kujton dy mesele. E para: Mitro Çelo nga Tirana, dikur në një shkrim kishte parashtruar këtë barsoletë: “Para një ruleti, të kazinosë, qëndrojnë dy mesoburra kumarxhinj. Mbajnë fishat e fundit në dorë. Dilemë. Ku t’i vendosin? I pari parashtron pyetjen: Sa herë në javë bën seks me gruan? Katër herë. Tjetri thotë: Unë një herë më pak. Pasi mblodhën numrat, vendosën 7-tën. Zari qëndroi te zeroja. Njëri që kinse bënte seks me mushama tha: Do të kishim fituar po të mos kishim gënjyer”!…Dhe, e dyta, ky referendum toptan m’i sjell në mendje maqedonasitme moshë të shkuar, të cilët sot e gjithë ditën e Perëndisë, me shumë dashuri dhe me nostalgji, parapëlqejnëta lakojnë një barsoletëtë tyre gjysmëshekullore. Dikur moti kur ata kishin vendosur ta themelojnë qeverinë e tyre, që në fillim kishin rënë në siklet a në hall të madh. Këtë “rehati” të tyre e kishte prishur një peshkatar nga “liqeni ortak” i Ohrit, i cili kishte propozuar që të formohet flota detare. Mandatari i habitur tha: “Çka na duhet flota detare, tregtare, ushtarake dhe ajo e peshkimit, që ne nuk kemi detin!?”
Një deputet shakaxhi, kishte kundërshtuar mendimin e mandatarit të harlisur, duke thënë: paçka se ne kemi Ministrinë e Kultu-rës, kur nuk kemi kulturë shëndetësore, muzikore e gjuhësore…, paçka se ne kemi Ministrinë e Financave kur lekë nuk kemi…, paçka se ne kemi Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve kur nuk i kemi rrugët si të shteteve përreth nesh…, paçka se ne kemi Ministrinë e Arsimit kur nuk e kemi me tamam shkollën tonë e nuk kemi mësuesin…, paçka se ne kemi Ministrinë e Drejtësisë kur drejtësia nuk është me ne, paçka se ne kemi Ministrinë e Ekonomisë kur nuk kemi ekonomi shtëpiake…, paçka se ne kemi Republikën e Maqedonisë, kishën e gjuhën, kur ato toptan nuk janë as për dynja e as për ahiret…, paçka se ne harxhuam kohë dhe para për referendum…, paçka se dikur gruaja e babait tim, më thoshte: “Të ka nëna ty kapedan”, kur unë sot e gjithë ditën e Perëndisë, mbeta tetar me gradë, e tjera paçka, paçka!
Të nderuar lexues, do të më ndjeni nëse unë në këtë “shkarravinë ju gënjeva”, ju dëshpërova a edhe ju bezdisa me referendumin që u organizua në mëhallën e “rahmetli” Haxhi babës sonë! (koha.mk)