Shkup, 2 korrik – I dënuari për rastin “Haraçi”, Zoran Mileski-Kiçec, zëri i të cilit është dëgjuar në disa biseda me drejtuesin Hristijan Mickoski, por edhe me biznesmenin malazez Miodrag Davidoviq-Daka, është thirrur sot për të dhënë deklaratë në stacionin policor në Karposh. Informacioni konfirmohet edhe nga Ministria e Brendshme, ku ata thonë se Kiçec dha deklaratë në prani të një avokati.
“Nga ana e Ministrisë së Brendshme iu paraqit një ftesë atij për bisedë informuese sot në Stacionin e Policisë Karposh sipas nenit 276 të LPP-së, në lidhje me regjistrimet audio të publikuara në rrjetet sociale. Z. M. sot erdhi në SP Karposh së bashku me avokatin e tij dhe bazuar në deklaratën e tij, do të bëhet një njoftim në Prokurorinë Publike”, thonë nga Ministria e Brendshme për “Makfax”.