Shkup, 25 qershor – Milazim Mustafa, këshilltar shtetëror në Ministrinë e Drejtësisë, është propozim i kryetarit të shtetit Stevo Pendarovski, për anëtar në Këshillin Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, shkruan gazeta KOHA.
Në propozimin drejtuar Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, kabineti i kryetarit të shtetit thotë se e tërheq propozimin që Bujar Sabriu të jetë anëtar i Këshillit Gjyqësor dhe në vend të tij e propozon Mustafën. Ndryshe, Milazim Mustafa në Ministrinë e Drejtësisë punon si këshilltar shtetëror në Sektorin për ndihmë juridike ndërkombëtare.
Në biografinë e tij shënohet se është jurist i diplomuar dhe ka magjistruar në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”. Ai njëherësh e ka kaluar edhe provimin e jurisprudencës, atë për noter dhe mediator. Vjen nga qyteti i Kumanovës. (koha.mk)