Zlatan Ibrahimovic dëshiron të qëndrojë me çdo kusht te Milani dhe për këtë arsye ai gjithashtu do të ishte i gatshëm të zvogëlonte pagën e tij. La Gazzetta dello Sport raportoi mëngjesin e së hënes, duke sqaruar se suedezi mund të “kënaqej” me një pagë prej 3 milion eurosh në sezon. Do të ishte një sakrificë e rëndësishme nga sulmuesi që ka marrë të njëjtën shifër në muajt e fundit (nga janari e deri tani).
Sakaq, në diskutimet me Raiola do të arrihet një akord edhe për Donnarumman, teksa firma e portierit shtatlartë pritet të jetë deri në 2023, me një rrogë bazë 5.5 mln euro dhe bonuse të arritshme për të mos rënduar mbi bilanc. Por, problem mbetet fakti që Raiola kërkon klauzolë nën 50 mln euro (35 mln euro) por Milani nuk është dakord.
Por, paketa “Raiola” mund të bëhet treshe, pasi trajneri Stefano Pioli i ka kërkuar klubit që të bëjë edhe një sakrificë për të rinovuar me Jack Bonaventura, që po rikthehet pak nga pak në nivelet e tij të dikurshme pas një sërë dëmtimesh dhe si alternativë do të ishte super edhe për sezonin tjetër.
Problemi mbetet rroga, pasi Bonaventura kërkon 3.5 mln euro në sezon, shifër që klubi nuk pranon të japë për moshën që ka ai. Kështu, nëse lojtari kuqezi do të pranonte një rinovim për 2 vite me 2.5 mln euro në sezon, atëherë mund të vinte gjithashtu firma.