Në një shkrim të së përditshmes torineze “Tuttosport” nënvizohet se, në shtëpinë milaneze për momentin për të qartësuar idetë për merkaton e ardhshme po shihet mundësia për të afruar një tjetër mesfushor.
Kuqezinjtë, faktikisht, në atë pjesë të fushës përdorin vetëm Lucas Biglia-n, i cili është regjistruar si titullar në formacionin e GennaroGattuso-s, ndërkohë që në janar do të bëjë 33 vjeç. Mes objektivave të tjera të klubit të rrugës “Aldo Rossi” është dhe 24-vjeçari argjentinas Leandro Perededs, i vlerësuar me kuotën e 35 milion eurove nga klubi ku ndodhet aktualisht, Zenit-in, por veç tij është dhe një brazilian që mund të konsiderohet ‘goditje’ për kuqezinjtë.
Pas rikthimit në klub të Leonardo-s në cilësinë e personit që do të përzgjedhë lojtarët, shtuar këtu dhe bashkëpunimin me Ricardo Kaka, i cili për momentin është i interesuar që t’i sjellë Milan-it lojtarë të rinj, pritet që të ketë prurje interesante gjatë periudhës së merkatos.
Emri i rrethuar me të kuqe, i cili është në majën e listës së dëshirave nga drejtuesit kuqezinj, padyshim që është ai i Lucas Paqueta, i lindur në vitin 1997, në pronësi të Flamengo-s me një klauzolë prej 50 milion eurosh. Mbi të gjitha 20-vjeçari Paqueta, i cili sapo ka debutuar me Seleçao-n, numëron dhe PSG-në si një nga klubet më të interesuara për të.
Milan-i ka dëshirën për ta provuar seriozisht, kuqezinjtë duan që të bëjnë një shpenzim të zgjuar dhe për të afruar lojtarin po përdorin imazhin e Leonardo-s dhe Kaka-së për të bindur Paqueta-n të transferohet në Itali. Puna e Milan-it në Brazil nuk ndalet këtu, në vëmendje të kuqezinjve janë disa talente që nuk kanë dalë ende në dritë që mund të blihen për pak milion euro, ashtu siç ndodhi për Kaka-në në vitin 2003.