Pas i parakaloi duke siguruar akordin për Zhordan Veretu, Roma u mundua t’i bënte Milanit edhe një surprizë brenda mureve kuqezi. Me kërkesë të trajnerit Paulo Fonseka, verdhekuqtë po këmbëngulin për kartonin e Susos.
Me vetëm një sulmues krahu (Ynder) në organikë, kryeqytetasit kanë nevojë të madhe edhe për dikë me karakteristikat e spanjollit. Duke mos e vlerësuar Suson 40 milionë euro (shumë që kërkon Milani), drejtuesit e Romës kanë tentuar të bindin klubin milanez duke ofruar 15 milionë euro dhe kartonin e Greguar Defrelit. Paolo Maldini dhe Zvonimir Boban thuhet ta kenë refuzuar me vendosmëri këtë propozim, që nuk kënaq as arkat e aq më pak trajnerin XHampaolo, i cili e ka pasur Defrelin edhe te Sampdoria.
Sipas medieve italiane, nëse verdhekuqtë duan spanjollin, duhet të përmirësojnë kërkesën e tyre e sidomos të mos përfshijnë kartonë lojtarësh në këmbim, sepse te Milani kanë nevojë për likuiditet dhe do të marrin në shqyrtim vetëm oferta në para. 25- vjeçari i lindur në Kadiz është shndërruar befas në një “trup” të huaj brenda Milanit.
ROLI I SUSOS
Megjithëse trajneri e “sheh” në rolin e fantazistit prapa shpinës së dy sulmuesve, shumë shpejt Suso mund të pësojë rënie në hierarkitë e Xhampaolos. Në një skuadër që planifikon të luajë me skemën 4-3-1-2, anësorët ofensivë, sado të aftë, mund të rezultojnë të papërshtatshëm, arsye për të cilën edhe spanjolli mediton largimin. Burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se edhe ai kërkon qartësi, sidomos në aspektin e përdorimit. Ditët, e sidomos miqësoret, në program mund ta ndihmojnë të kuptojë rolin e tij në planet e trajnerit dhe të Milanit.