Jordan Veretout mbetet synimi madhor i Milanit për mesfushën, aty ku praktikisht është mbyllur edhe blerja e Bennacer nga Empoli dhe pritet zyrtarizimi, sepse mesfushori algjerian ka pranuar ofertën kuqezi, për 1,5 milionë euro pagë në sezon.
Veretout, një ndër lojtarët kryesorë të Fiorentinës, kërkohet me çdo kusht nga trajneri Giampaolo dhe sot drejtuesit e Milanit dhe ata të Fiores janë takuar për një orë në Milano, me kuqezinjtë që kanë ofruar 18 milionë euro, plus bonuse, duke mos përfshirë mesfushorin Biglia në ofertë.
Ndërkaq, Veretout nuk është grumbulluar për turneun miqësor të Fiorentinës në Amerikë dhe sot është ndarë nga shokët e ekipit. Joaquin Correa – Ditët e fundit drejtuesit e Milanit kanë takuar shpesh agjentin Alessandro Lucci, i cili përfaqëson shumë futbollistë.
Sipas Il Tempo, bisedat kanë qenë për fantazistin argjentinas të Lazios, Joaquín Correa. Ky i fundit shkëlqeu sezonin e shkuar te Lazio, që e bleu 15 milionë euro nga Sevilla, ndaj vlera e tij ka shkuar në qiell. Milani, sipas Il Tempo, ofron 20 milionë euro plus Cutrone, duke shkuar në total në 50 milionë euro, por Lazio kërkon më shumë.