Milani parakalon Interin e Romën për shërbimet e kapitenit të Portos

Hector Herrera vijon të mbetet një nga emrat më të kërkuar të merkatos, për vetë faktin se kapiteni i Portos do të jetë lojtar i lirë duke filluar që nga muaji qershor dhe shumë klube duan të shfrytëzojnë rastin.

Interi dhe Roma ishin dy skuadrat e kampionatit italian, që kishin avancuar në bisedimet me menaxherin e 28-vjeçarit, por së fundi në negociata është futur fuqishëm edhe klubi i Milanit, që duket se ka parakaluar rivalët.

Kuqezinjtë vijojnë të jenë nën monitorimin e Fair Play-t Financiar dhe një futbollist si Herrera, që për më tepër do të vinte me parametra zero, do të ishte një lloj bonusi për Leonardon e Maldinin, që nuk është se i kanë duart e lira për të shpenzuar.

Një tjetër faktit që ndihmon Milanin në këtë marrëveshje, është fakti se si Interi ashtu edhe Roma nuk janë të bindura që të vazhdojnë me trajnerët respektivë edhe në sezonin e ardhshëm, ndaj nuk duan të afrojnë lojtarë që mund të mos jenë në preferencat e trajnerëve të ardhshëm.