Milani në kërkim të një qendërmbrojtësi. Fakti që Leo Duarte ka rezultuar pozitiv me Koronavirus në një kohë kur Romagnoli dhe Musachio po vuajnë dëmtimet, e bën edhe më të nevojshëm afrimin që një lojtari në prapavijë. Emri i ri që ka dalë në skenë është një njohje e vjetër e futbollit italian. Bëhet fjalë për Antonio Rudiger, të cilin Chelsea është i gatshëm ta huazojë me të drejtën e blerjes. Gjermani mund të përfshihet në bisedimet që dy klubet po zhvillojnë për mesfushorin francez, Bakayoko.
Ëndrra e Maldini mbetet Milenkovic, por Fiorentina nuk heq dorë nga kërkesa e saj prej 40 milionë eurosh për kartonin e qendërmbrojtësit serb. Një operacion që mund të kryhet me sukses vetëm pas shitjes së Lucas Paquetà te Lyoni.
Në rast se kuqezinjtë do të arrinin të fitonin 20 milionë euro nga largimi i brazilianit, do të niste “gjuetia” për një qendërmbrojtës. Francezët (Lyoni), megjithatë, së pari duhet të shesin një mes Aourar dhe Depay për të mbledhur paratë për mbylljen e marrëveshjes për brazilianin. Matija Nastasic, 27-vjeçar serb nga Schalke 04, me përvojë në Itali me fanellën e Fiorentinës (2011-2012) është, nga ana tjetër, zgjidhja me kosto të ulët, një propozim i minutës së fundit nga menaxheri Fali Ramadani.