Trajneri i ri Marco Giampaolo do të zyrtarizohet javën e ardhshme, por Milani e ka nisur merkaton dhe Paolo Maldini po punon me shpejtësi, duke u koordinuar me trajnerin dhe me Zvonimir Boban, i cili gjithashtu do të prezantohet ditët e ardhshme.
Pas mesfushorit Krunic, blerë nga Empoli, Milani kërkon një përforcim madhor për mbrojtjen, pasi vetëm Romagnoli është garanci, me Musacchio dhe Caldara që për arsye të ndryshme nuk konsiderohen pika fikse, të paktën për momentin.
Gazetari i njohur i Sky Sport, Gianluca Di Marzio, ka zbuluar një lëvizje të bujshme që klubi kuqezi shpreson të mbyllë këtë verë: Konstantinos Manolas.
27-vjeçari grek ka qenë një ndër lojtarët më të mirë në Serinë A në 5 sezonet e fundit, duke shkëlqyer me fanellën e Romës, ndërsa tani shpreson të ndryshojë ambient.
Roma kërkon 36 milionë euro, aq sa është klauzola e prishjes së kontratës, ndërsa Milani shpreson të përfitojë ndonjë ulje, edhe pse duket e vështirë. Përveç kësaj, Milani duhet të bëjë kujdes, sepse edhe klube angleze mund të futen në garë, pasi shifra për mbrojtësin nuk është e madhe.