Milani vazhdon të jetë në kërkim të një qëndërmbrojtësi për të përforcuar repartin e prapavijës, në mënyrë që trajneri Stefano Pioli të ketë një skuadër të denjë për të rivalizuar për 4 vendet e para të Serie A. Pas emrave si Milenkovic apo edhe Nastasic sëfundmi në skenë për kuqezinjtë ka dalë një tjetër futbollist ballkanas dhe bëhet fjalë për mbrojtësin e kombëtares shqiptare Berat Gjimshiti.
Sipas gazetës torineze Tuttosport, drejtuesit e Milanit e pëlqejnë shumë shtatartin kuqezi dhe po përgatitin një ofertë për Atalantën. Gjimshiti është një titullar i padiskutueshëm te Atalanta dhe është në planet e trajnerit Gasperini, gjithsesi fjalën e fundit do ta thotë vetë lojtari si dhe presidenti i bergamaskëve Antonio Percassi. Faqja e specializuar transfermarkt e vlerëson kartonin e futbollistit 15 milionë euro, një shifër kjo e konsiderueshme por në të njëjtën kohë e përballueshme për arkat e Milanit.