Me afrimin e merkatos së dimrit shtohen gjithnjë dhe më shumë zërat për të ardhmen e Gianluigji Donnarummas. Portieri i Milanit, që në ditët e kaluara ka qenë në qendrën e polemikave të krijuara mes Mino Raiola dhe Massimiliano Mirabelli, ka rritur zemërimin dhe dyshimet e tifozëve kuqezi pas tërheqjes nga derbi i Kupës së Italisë. Ai që dukej një dëmtim i lehtë është kthyer në një problem serioz që e ka penguar lojtarin të luajë në atë që do të kishte qenë ndeshja e tij numër 100 më “Djallin”. Kështu, për shkak të situatës së keqe të krijuar rreth tij, Donnarumma mund të largohet nga klubi që në janar, gjithmonë nëse do të vijnë oferta të rëndësishme nga klubet e tjerë.
Siç ka ndodhur edhe në verë, kur Gigio ka refuzuar rinovimin, Milan është vënë në lëvizje për të gjetur një zëvendësues. Pepe Reina është emri në krye të listës për sezonin e ardhshëm, por nëse largimi i Donnarumma do të ndodhë në janar, Fassone dhe Mirabelli do të jenë të detyruar të gjejnë një zgjidhje të përkohshme.
Një nga këto mund të jetë Federiko Marketi, portieri 34-vjeçar i Lacios, i cili është jashtë skuadrës bardhekaltër për momentin. ai ka humbur vendin e titullarit pas një dëmtimi të pësuar pikërisht në një ndeshje të luajtur kundër kuqezinjve shkurtin e kaluar dhe është një nga objektivat e vjetër të Milanit, që ka kërkuar ta marrë edhe vitin e kaluar para shitjes së klubit te kinezët.