Milot Rashica është bërë objektiv i gjigantit italian, Milan, i cili po planifikon të përforcohet në afatin kalimtar të janarit pas dështimit në fazën e sulmit. Paraqitjet mbresëlënëse të Milot Rashicës u kanë rënë në sy gjigantëve të futbollit evropian, shkruan Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha. Së fundmi, interesim për futbollistin kosovar ka shfaqur Milani.
Sipas mediave italiane, “Rossoneri” po planifikojnë ta përforcojnë fazën e sulmit në afatin kalimtar të janarit dhe njëri prej objektivave të këtij klubi është edhe vetë përfaqësuesi kosovar. Vushtrriasi po shkëlqen në fanellën e Werder Bremenit, por edhe me “Dardanët”, prandaj interesimi i klubeve të mëdha për të nuk është për t’u habitur.
Rashica është pjesë e Werderit nga janari i vitit 2018 pasi paraprakisht kishte shpërthyer në Vitesse të Holandës. 23 vjeçari është në gjendje të luajë në të dy krahët dhe ka aftësi edhe të shënojë gola. Ai i ka realizuar 3 gola dhe e ka dhuruar një asistim në pesë ndeshje të zhvilluara këtë sezon.
Vlera e Rashicës aktualisht sillet kah 20 milionë euro. Ai do të ishte një opsion ideal për trajnerin Stefano Pioli, qoftë në janar apo gjatë verës për sezonin e ardhshëm.