Në derbin e së dielës, Rafael Leao nuk la gjurmë, edhe për shkak të Giroud që shpërdoroi një rast ideal goli të servirur nga portugezi. Ashtu siç edhe negociatat për rinovimin e tij me Milanin janë të bllokuara, shpjegon “Gazzetta dello Sport”.
Futbollisti luzitan nuk është i kënaqur me rrogën 6.5 milionëshe, që i është ofruar për të rinovuar, sepse dëshiron që Milani ta lirojë nga çështja me Sportingun e Lisbonës (19 milionë detyrime të famshme).
Gjithashtu, në pritje është çështja e klauzolës prej 150 milionë eurosh, të cilën lojtari do të donte ta përgjysmonte. Pra, gjithçka është ende e bllokuar, kurrë më larg nuk kanë qenë palët në negociata, duke rritur kështu shanset për një lamtumirë të hershme.
“Pioli qëndron, ciao Leao”, është titulli me të cilin hapet edicioni i sotëm i “Gazzetta dello Sport”, referuar situatës te kuqezinjtë dhe të ardhmes së trajnerit e sulmuesit. Pra, brenda krizës së Milanit; trajneri fiton besimin (për momentin), por duhet të arrijë zonën e Champions League. Rafa i dëshpëruar dhe gjithnjë e më larg “Djallit”.