Milani është duke shprehur interesim për shërbimet e mesfushorit të Bajern Munihut, Arturo Vidal dhe sulmuesit të Lionit, Memfis Depaj. Por, kjo do të varet nga “Fair-Play” financiar. Kuqezinjve iu është refuzuar një marrëveshje vullnetare nga UEFA, kështu që mund t’iu ngarkohen sanksione të mundshme në edicionin e ardhshëm. Si pasojë e kësaj, drejtorët e klubit janë vënë pas futbollistëve me parametra zero si Pep Reina, Ivan Striniç apo edhe Ki Sung-Jeung. Së fundmi gazeta italiane “Tuttosport” raporton se Milani planifikon të nënshkruajë edhe me dy emra të mëdha si Depaj dhe Vidal. Reprezentuesi kilian, i cili është objektivi i parë i gjigandit italian, besohet që do t’i kërkojë largimin drejtuesve të Bajern Munihut, ndërsa ka kontratë me bavarezët deri në vitin 2019. Ndërkohë, objektivi i dytë, Depaj së fundmi ka dhënë sinjale për një transferim të mundshëm në Milano. Holandezi ka deklaruar se Milani është një klub i madh, me një skuadër dhe histori të madhe.