Europa League rikthehet sërish në ekranin e Super Sport, me të tjera përballje, që premtojnë të dhurojnë emocione. Në ndeshjet e radhës të kompeticionit europian për klube, Arsenali do të udhëtojë në transfertën e Beogradit, ku do të përballet me ekipin e Crvena Zvezda-s, që nuk numëron asnjë humbje në shtëpi, në 5 takimet e këtij sezoni dhe që njëherazi është një nga tre skuadrat që bashkë me atë të Macabi Tel Aviv dhe Skënderbeun, ia kanë dalë mbanë që nga faza e parë kualifikuese, deri në atë të grupeve për këtë sezon.
Nga ana tjetër, Arsenali vjen pas fitoreve të dy takimeve të para në grupin H. Po në këtë grup, në orën 19:00, në stadiumin ‘Borisov’, bjellorusët e Bate Borisov do të përballen me Këlnin e Peter Steger, që ende duhet të marrë pikën e parë në fazën e grupeve.
Grupi K do të sjellë përballje interesante, ku për herë të parë Lazio do të zbresë në fushën e Nicës, me ekipin e Strakoshës që vjen nga ajo fitore përballë Juventusit, ku gardiani i portës priti penalltinë e Dybalës, në minutën e fundit. Nica e Balotellit, që kryeson grupin K, ka golavarazhin më të lartë për këtë sezon, më 8 gola të shënuar, ndaj 22 vjeçari Strakosha do të sprovohet sërish. Po në këtë grup, sulmuesi 21 vjeçar, Rashica do të udhëtojë me Vitesen e tij drejt Belgjikës, për t’u përballur me Zulte Waregem.
Gjithsesi, duke i qëndruar takimeve më pikante për këtë javë, vijojmë me atë të ‘Elbasan Arenës’, ku korçarët e Skënderbeut do të provojnë të nisin më herët festimet për ditëlindjen e 51-të, të trajnerit Ilir Daja, duke siguruar fitoren përballë Partizanit të Beogradit, më të dyja ekipet që kanë siguruar vetëm nga një pikë në grupin B. Ndërkohë që kryesuesit e grupit B, me 6 pikë, ukrainasit e Dinamos së Kievit do të presin zviceranët e Young Boys.
Në grupin D, ‘San Siro’ do të presë kuqezinjtë e Montellës, përballë AEK-ut të Athinës, me Milanin kyesues që do të tentojë të vulosë fitoren e tretë radhazi në Europa League. Kuqezinjtë vijnë pas një ecurie tejet negative në Serinë A, me 3 humbje radhazi, ndërsa me Europë njohin vetëm fitore, ndaj do të kërkojnë të ngrenë moralin përballë grekëve. Takim paralel në këtë grup, do të jetë ai mes kroatëve të Rijekës, që do të udhëtojnë drejt Austrisë, për të siguruar pikën e parë.
Grupi A sheh në orën 19:00 izraelitët e Macabi Tel Aviv, të zbresin në fushën e Kazakistanit, për përballjen me Astanën, me të dyja skuadrat që kanë siguruar vetëm nga një pikë deri më tani, ndërkohë takimi i radhës në orën 21:05, për grupin A, do të shohë spanjollët e Villarealit, përballë çekëve të Sllavias së Pragës, me të dyja ekipet që respektivisht kanë nga katër pikë.
Në grupin E, çuditërisht anglezët e Evertonit mbajnë vendet e fundit të grupit, me francezët e Lyonit, ku ekipi i Rooney-t, numëron vetëm një pikë. Ndërkohë që kryesimin e këtij grupi e mban Atalanta e Berishës, që do të presë qipriotët e Apollon Limasolit, në orën 21:05, në stadiumin ‘Atleti Azurri’.
Dy skuadrat e fundit të grupit C, do të përballën në Gjermani, ku Hofenheimi i Julian Nagelsman, do të presë turqit e Bashakeshehir. Ndërkohë që po në këtë grup, bullgarët e Ludogorets Razgrad, do të tentojnë të marrin kreun e klasifikimit, përballë portugezëve të Bragës, aktualisht me 6 pikë.
Grupi F sheh Lokomotivën e Moskës në transfertën e Moldavisë, ndaj Sherif Tiraspolit, ndërkohë dy skuadrat e fundit të grupit F, përkatësisht çekët e Zlin dhe danezët e Kopenhagen, do të sfidojnë njëra-tjetrën në orën 21:05.
Më herët, në orën 19:00, qipriotët e Apoelit do të presin rumunët e Bukureshtit, që kryesojnë bindshëm grupin G, ndërkohë që çekët e Viktoria Plzen, të vendit të dytë, udhëtojnë në transfertën e Luganos. Grupi I do të vërë përballë Koniaspor -Salzburg dhe Marseille -Vitoria de Guimaraes.
Grupi J, gjithashtu rezervon sfida interesante me Oestersunds, skuadrën surprizë të kompeticionit të Europa League, që do të kërkojë të arrijë sërish një rezultat pozitiv, pas dy fitoreve radhazi, këtë herë përballë Athletic Bilbaos. Takimi tjetër i grupit do të jetë ai mes Zoryas dhe Herthës së Berlinit. Në Grupin e fundit, L, në orën 21:05 do të përballen Vardar-Real Sociedad dhe Zenit St. Petersburg -Rosenborg.