Milan-Juventus nuk është një sifdë si gjithë të tjerat. Milan-Juventus është një nga tre supersfidat që dhuron Serie A. Mbrëmjen e sotme në San Siro do të zbresin dy prej skuadrave më të titulluara në Apenine në një ndeshje që pritet të sjellë shumë emocione dhe në të cilën spektakli është i garantuar. Higuain është rikuperuar dhe pavarsisht se nuk është në 100% të formës së tij do të jetë në fushë sot, megjithatë mungesat janë të shumta në kampin kuqezi, ndërkohë që te Juventusi, Allegri pritet të ulë në stol Leonardo Bonuccit për t’i evituar këtij të fundit vërshëllimat e tifozëve të Milanit. Në orën 20:30 në një San Siro të tejmbushur kuqezinjtë e Gattusos do të synojnë të mposhtin edhe statistikat pasi historiku i përballjeve të viteve të fundit flet vetëm në favor të Juventusit.
Mes të mëdhave të kampionatit italian është pikërisht Milani që e ka pësuar më keq në përballjet me Juven me 45 pikë që kanë përfunduar në shtëpinë e torinezëve nga një total prej 66 pikësh. Ndërkohë që Napoli nga viti 2007 e deri më sot është sfiduar 23 herë më bardhezinjtë në Serinë A, duke grumbulluar një total prej 28 pikësh nga 69 të mundshme. Të dhëna këto që flasin pikërisht për supermacinë e Juventusit në Itali, që viktimën e preferuar ka pikërisht skuadrën milaneze.
Një kuriozitet tjetër është fakti se barazimi i fundit i shënuar mes këtyre dy skuadrave në kampionat daton në 25 shkurtin e vitit 2012, rezultati i famshëm 1-1 i “San Siros”, i çështjes se golit fantazmë të Muntarit. Që nga ai moment në 12 përplasjet mes tyre në Serinë A, 10 fitore kanë shkuar për Juventusin dhe vetëm dy për kuqezinjtë, me një total prej 20 golash të shënuar dhe 8 të pësuar për formacionin bardhezi. Triumfet e fundit të Milanit datojnë në nëntor të 2012-ës dhe tetor të 2016-ës, të dyja fitoret me rezultatin minimal 1-0.
Duke marrë në konsideratë të gjitha kompeticionet nga viti 2007, përqindja e fitoreve të klubit torinez ndaj atij milanez është akoma më e lartë. Nëse në kampionat Juve arrin në 63.6% dominim, përfshi kupën e Italisë dhe Superkupën e Italisë, pra në të gjitha kompeticonet, totali shkon në 65.5%, me një diferencë të madhe, ku nga 29 takimet në tërësi, 19 suksese janë regjistruar nga Juventusi, 6 nga kuqezinjtë dhe 4 janë barazime. Nga ana tejtër, bilanci i stolit mes atij të Gattusos përballë Allegrit po ashtu rezulton negativ. “Ringhio” tashmë kërkon pikët e fitores në këtë përballje direkte, por ndaj Juventusit dhe CR7 objektivi bëhet edhe më i vështirë. Milan-Juventus do të keni mundësi ta përjetoni live në Supersport 2.