Yonghong Li, pronari i ri i Milan-it ka zhvilluar sot konferencën e tij të parë për shtyp: “Për të gjithë tifozët e Milan kjo është një ditë e rëndësishme, kemi një përgjegjësi të madhe. Kemi për detyrë ta kthejmë Milan-in lart”, ka thënë Li. “Fassone? Kemi besim tek ai dhe mendojmë se është kandidati më i mirë për të drejtuar skuadrën. Ky klub i lavdishëm ka filluar një kapitull të ri: suksesi i këtij operacioni është bërë i mundur nga dashuria e tifozëve për Milan-in, por mbi të gjithë falënderoj Berlusconi-n dhe Fininvest-in për besimin që ka treguar te ne. Milan-i është një klub i nivelit ndërkombëtar, me një histori të lavdishme 118-vjeçare”, ka vazhduar Li. “Në 30 vitet e fundit ka arritur suksese të shumta: 8 kampionate, 5 Champions dhe 7 Superkupa të Italisë. Të gjithë yjet që kanë luajtur këtu triumfet e arritura bëjnë që çdo tifoz të presë kthimin e këtij klubi në majën e Europës. Për këtë arsye kemi një përgjegjësi të madhe”.
Më pas ka folur edhe drejtori i ri sportiv Fassone: “Rinovimi i kontratës së Donnarumma është prioriteti ynë. Kemi folur për këtë edhe me presidentin. Duam ta zgjidhim çështjen në një kohë të shkurtër dhe ta bëjmë Gigio-n një simbol për të ardhmen. Buxheti për të ardhmen? Do të jetë i rëndësishëm. Objektivi është të ndërtojmë një Milan ambicioz. Dhe unë do të kemi burimet ekonomike për ta bërë këtë”. Në lidhje me të ardhmen e trajnerit Montella: “Ai ka të gjithë mbështetjen dhe vlerësimin tonë. Qershorin e vitit të kaluar e kemi aprovuar zgjedhjen e tij. Nuk është në diskutim”, ka thënë Fassone.