Miks idealesh

Ajo që tashmë duan të gjithë, është TË GJITHA! Po. Edhe të drejta, edhe zhvillim edhe dinjitet edhe integrime. Të gjitha! Dhe po është e mundur. Me njerëz të zotë që as e si të marrin poste e pozita që meritojnë. Por jo me ministra që nuk shkojnë në mbledhje qeverie dhe jo me burokratë shqiptarë që shtypin ekspertët shqiptarë nëpër ministri

Nga Nazim RASHIDI

Periudha e festave është përherë një mundësi për të lexuar më shumë, për të parë ndonjë film a serial më shumë, përveç dalldisë dhe euforisë që krijojnë, por edhe këto të nevojshme për një çlirim nga përditshmëria e sidomos banaliteti politik e shoqëror.
E theksoj këtë se arrita të shoh sezonën e fundit të serialit House of cards (Shtëpia prej letrash).
Serial tejet kontroversial i cili ka në qendër politikën dhe politikbërjen amerikane, por anën e errët të saj.
Seriali fillon me një moment fitoreje të një presidenti amerikan, dhe ku personazhi kryesor Frank Underwood, pret të bëhej sekretar shtetëror. Por presidenti i porsazgjedhur i thotë edhe pse posti i ishte premtuar, ai mendonte se vendi i tij ishte në kongres.
Dhe fillon drama e pisët, hilet, intrigat, lojat, meskinitetet, stërkëmbëzat, madje dhe vrasjet. Por jo me rivalët. Jo. Me të vetët.
Sezoni i gjashtë dhe i fundit tregon fëlliqësinë e politikës (pa personazhin kryesor Frank Underwood i cili luhej nga Kevin Spacey, por i cili u përjashtua nga seriali për shkak të akuzave dhe proceseve gjyqësore për ngacmime seksuale) ku bashkëshortja e presidentit ia merr postin. Madje në fund del se e ka vrarë atë për pushtet.
E gjithë kjo parantezë nuk është se ka për qëllim të reklamojë serialin, që është i rekomandueshëm meqë ra fjala, por për të treguar se sa e pisët është politika. Dhe seriali, por edhe siç po shohim në përditshmëri, tregon se sa më në zemër të saj, aq më e tmerrshme është, madje shkatërruese.
Në një prej këtyre serialeve dëgjova dhe një shprehje të madhe, me gjasë e marrë nga ndonjë autor i madh, e cila thotë: Të gjithë futen idealistë në politikë, e pastaj bëhen politikanë!
E madhe është kjo shprehje sepse tashmë, jo vetëm në filma, seriale e libra, por edhe në realitet atë që shohim është humbja e idealit nga politika. Por edhe një gjë ama, humbja mbase dhe e idealit të shoqërisë. Kjo më bëri të mendoj. Cili është ideali i shoqërisë tonë sot? Seriozisht. Është pyetje kruciale.
A ka më shumë se një ideal? A ka ideale të ndryshme mes brezash? A ka ideale të ndryshme mes nesh dhe ata të emigracionit, diasporës?
Nga reagimet mbi zhvillimet e fundit kështu duket.
Një shok më dërgoi një tekst i shkruar maqedonisht e që qarkullonte në rrjetet sociale me titull: “Shqiptari nga Shkupi zbulon: Përderisa ju këndoni himnin e Shqipërisë unë u largova nga shteti”.
E qartë se çfarë synon teksti, madje ka edhe dyshime nëse vërtet ky shqiptar ka folur me autorin e tekstit. Sepse një shqiptar asnjëherë nuk thotë “himni i Shqipërisë”, por “himni i flamurit” ose “himni shqiptar”, por si do që të jetë… Teksti nxjerr në sipërfaqe dhe të tillë kam dëgjuar edhe vetë, një brez të rinjsh që vazhdimisht shprehin lodhje nga çështjet etnike dhe debatet shterpë për të drejta… sepse bashkëqytetarët e tyre politikanë, leckamanë, që kanë jetuar pranë tyre befas edhe pse pa këto të drejta për të cilat janë gojëplotë, janë pasuruar, madje shumë, dhe dallimet mes tyre, edhe pse një lloj pa të drejta, janë aq të mëdha, saqë ndjesia e padrejtësisë është aq në rritje, sa e vetmja zgjidhje është ikja.
Kësaj ndjesie kur do t’ia shtosh dhe paaftësinë, dhunën, arrogancën dhe sidomos injorancën e atyre që janë e që përfitojnë nga politika, në krahasim me ata të tjerët, të zotë ama, që s’kanë asnjë shans për përparim, për punësim e për zhvillim, atëherë çfarë mbetet të mendojë ky brez? Cili është reagimi i tyre?
Lodhje. Lodhje nga gjithçka dhe apati totale. Kjo sjell mungesë vullneti për veprim dhe si rrjedhojë vjen bindja, se ky vend nuk bëhet dhe prandaj shpëtimi është ikja.
Dhe ikja po ndodh. Sepse gjithçka rreth nesh ka vetëm shembuj të këqinj, shembuj dhe modele banale për sukses dhe mirëqenie që vjen nga jashtë.
Nën këtë atmosferë, përveç se në rrejtet sociale, po kalojnë thuajse pa eufori e veprime debatet e politikës, për ndryshimet kushtetuese, preambullën, amandamentet, shtetësinë, gjuhën…
Shoh që njerëzit e politikës dhe ata pranë saj përpiqen të mbrojnë, argumentojnë, neglizhojnë, zvogëlojnë, lartësojnë, zhvlerësojnë, zmadhojnë.. atë që ndodhi mes opozitës shqiptare dhe Kryeministrit Zaev.
Procesi s’ka përfundur…por fatkeqësia është se përherë mbetemi mes zgjedhjes për një të mirë më të madhe – integrimet dhe tjetrës të drejtat shqiptare (që disi përherë mbesin për më vonë).
E pa drejtë kjo gjendje. Por, e tillë ka qenë shpesh dhe prandaj dhe vjen lodhja e mosbesimi i brezit më të ri.
Aq më shumë zhvillimet e fundit tregojnë se me insistim më të madh disa çështje edhe mund të gjejnë kompromis. Por çfarë ndodh? Përplasje. Përplasje mes shqiptarësh… e ashpër dhe jo një dinjitet bazik për interesat e përbashkëta.
Ziadin Sela i tha Bujar Osmanit se po përpiqej të arrinte edhe të drejtën e tij.
Kurse ky i dyti ia ktheu se përpiqej ta integronte edhe atë në NATO e BE.
Në thelb kërkesat e synimet e të gjithëve bashkë.
Por ajo që disi nuk kuptojnë as njëra e as tjetra palë është se kjo përplasje e retorikë, plotësisht relativizuese që realisht na ka lodhur të gjithëve, krijon atë lodhjen dhe përshtypjen se të gjithë fillimisht shohin interesin personal e pastaj atë tjetrin.
Në këtë konstatim sigurisht që opozita është më e shfajësuar se s’ka gjë në dorë, ajo duhet dhe po bën presion ashtu siç e bën, por edhe ajo edhe pushteti duhet të mësohen e të dalin nga guacat e tyre e të shohin jo vetëm përshtypjet që lënë, por ndikimet që lënë në shoqëri e që krijojnë prirje shqetësuese. Dhe përshtypja e përgjithshmë është se s’ka shpresë te politika e as politikanët këtu, as për temat etnike e as për ato të mirëqenies e zhvillimit. Si rrjedhojë shpëtimi është ikja.
Të ikur pastaj, duke jetuar mes dy realitetesh, atë jashtë në vendet e zhvilluara dhe atë virtualin mes tekstesh dhe statusesh, komentesh e debatesh virtuale ndodh dhe një paqartësi tjetër idealesh.
Emigracioni dhe diaspora bëjnë presione të tjera, të bazuara nga zhgënjimet që duken edhe më të mëdha nga larg dhe kështu prioritetet e tyre ndryshojnë nga ata në atdhe. Me të drejtë, mungesa e zhvillimit dhe përparimit, krahasimi konstant që bëjnë mes shteteve ligjore, rregullit që kanë ato shtete dhe mospërparimit konstant këtu, kërkohet zgjidhja në shkatërrimin e këtij realiteti.
Por kjo sjell dilemat tek idealet.
I tyri është i ndryshëm, jashtë tendencave këtu. I të rinjve është ikja, i klasës politike mbajtja e status kuosë, sepse ashtu mbijeton më gjatë i emigracionit mposhtja e këtij sistemi.
Por kjo gjendje sjell tension, si të brendshëm, brenda etnik, ashtu siç e shohim, njëherazedhe të jashtëm, ndër etnik.
Dhe…cila është zhjidhja?
Ajo që tashmë duan të gjithë, është TË GJITHA! Po. Edhe të drejta, edhe zhvillim, edhe dinjitet, edhe integrime.TË GJITHA!Dhe po është e mundur.
Me njerëz të zotë që as e si të marrin poste e pozita që meritojnë. Sepse ja realiteti, do të tregoj dy raste:
1. Një ministër, po shqiptar, nuk shkon në mbledhje qeverie sepse nuk kupton asgjë se çfarë ndodh atje. Çon në mbledhje përfaqësuesin e tij. Por ai është i zgjedhur nga lideri dhe asnjë nuk vë dot në dyshim postin e tij. Dëmi që shkakton është i masiv në disa dimensione. Porkujt i plasi? Ai dhe lideri janë të lumtur, me gjasë!
2. Një ekspert i rrallë, po shqiptar, në një ministri minohet në vazhdimsi të përparojë. Nga kush? Nga ca burokratë, po shqiptarë, që s’dinë as gjuhë të huaja, as punojnë, as dinë të bëjnë projekte, por që mision i punës së tyre është si të përfitojnë pa punuar. Po kujt i plasi? Edhe ministri edhe partiakët e dinë këtë, por ata janë të lumtur me këtë gjendje, me gjasë!
Pra gjithçka është e mundur.
Përveç ndryshimit të mendësisë së klasës politike se ka ardhur koha për “upgrade”. Por përshtypja se kjo s’do ndodhë, sjell zhgënjimin total. Sjell ikjen masive. Ndërkohë nëse s’merren masa përplasja do të rritet dhe vala e ragimit do të jetë e madhe, si cunami pa shumë dallgë të larta, por shkatërruese. Sepse oda e burrave, çiftelitë, sofrat, janë folklor e vlerë, por e të kaluarës që nuk qëndron aq shumë përballë klubeve, dritave, tingujve elektronike të së tashmes! Sot miksimi është tendencë, prandaj edhe është i mundur dhe një miksim i idealeve edhe me tonet e të kaluarës edhe me vizionin e të ardhmes, të cilat do jenë të pranueshme për të gjitha veshët, por kjo arrihet me mjeshtëri dhe vetëm me ekselencën e DJ-ëve politik të një brezi me frymë të re. Në të kundërt, “Shtëpia prej letre”, e jona, do të na hajë kokën dhe prej saj s’do të mbetet gjë. Pastaj ju rrofshin e na rrofshin të gjitha ligësitë e poshtërsitë!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)