Nuk doja të bëhem një futbollist i cili udhëton shumë. Aston Villa ishte klubi i vetëm në të cilën doja që të luaja dhe jam rritur duke e dashur Macnhester Cityn, por nuk doja që ta kaloja të njëjtën histori në Angli. Doja diçka të re, diçka krejtësisht ndryshe. E dija se asnjë nuk po shkonte siç duhet në Angli dhe i thashë menaxherit tim se dalja jashtë vendit ishte mundësia e vetme. Isha i gatshëm për të jetuar jashtë vendit, për ta mësuar një gjuhë të re dhe për t’u adaptuar me një kulturë të re, kështu që mendoja se është një mundësi e madhe. Kisha mësuar frëngjisht dhe doja të luaja atje, por nuk ishim në gjendje për ta gjetur klubin e duhur.
Menaxheri im erdhi dhe më tha se ekziston mundësia për të shkuar te një klub turk. Ai më tha se një klub i Superligës turke i quajtur Ankaraspor ishte interesuar për mua. E pyeta nëse ai ishte i sigurt që ishte ky klub, por pastaj ai e përmirësoi vete dhe më tha se në fakt ishte Ankaragucu që më donte mua. Ata ishin edhe më të panjohur!
Uebfaqja e klubit nuk dukej se ishte zyrtare dhe ndieja se isha duke shikuar në faqen e gabuar, por pavarësisht se kërkoja për diçka tjetër ishte uebfaqja e tyre. Vendosa që të udhëtoja dhe të takohesha me ta.
Udhëtova më 1 korrik 2009, por nuk isha i gatshëm për mikpritjen që e mora në aeroportin e Ankarasë. Aty ishin mijëra tifozë që kishin ardhur për të më përshëndetur me flamuj, fanella dhe ata bënin aq shumë zhurmë. Isha mjaft i habitur, nuk kisha përjetuar kurrë një gjë të tillë më herët. Kishte njerëz që mbanin transparente mirëseardhjeje dhe kamerat e çdo televizioni ishin drejtuar nga unë.
Me siguri jam dukur si lepur kur kam dalë nga dyert e aeroportit. Një vajzë e vogël ma dhuroi një buqetë lulesh me ngjyrë të kaltër dhe të verdhë, të cilat ishin edhe ngjyrat e klubit dhe pastaj u bë një katrahurë e vërtetë kur njerëzit shtyheshin për të ardhur afër meje. Ishte një lloj pritjeje që mund t’i bëhej vetëm ndonjë lideri botëror si Nelson Mandela apo ndonjë ylli të rokut dhe jo një futbollisti anglez i cili po vizitonte një klub turk. I thashë menaxherit se kjo gjë më dukej shumë e çuditshme dhe unë ende nuk kisha nënshkruar.
U ktheva në Ankara për ta nënshkruar marrëveshjen më 21 korrik dhe aty iu nënshtrova testeve më të shumta mjekësore që kisha bërë ndonjëherë. Ma testuan të gjithë trupin, sytë dhe madje edhe flokët. E dija se nënshkrimi im ishte i madh për ta. Ndihesha sikur të isha në ndonjë film dhe po përgatitesha për të shkuar në hapësirë.
Ishte një fillim i ri për mua. Shkova me klubin e ri në kampin parapërgatitor në Austri. Në darkën time të parë me bashkëlojtarët e rinj u ndjeva mjaft komod falë Barbaros, i cili dinte anglisht. Vërejta se askush nuk mund të hante pa praninë e kapitenit dhe askush nuk mund të largohej nga tavolina pa lejen e tij. Respekti kishte rëndësi të madhe dhe mua më pëlqente kjo gjë.
Ndërkohë, ata më kishin premtuar që do ta kisha në dispozicionin tim një shofer. Pas stërvitjes më thanë se duhej të hipja në autobus, i cili do të më dërgonte në qytet dhe pastaj do të arrinte një shofer. Pas ndalesës së autobusit nuk erdhi asnjë shofer. Mbeta i vetëm në një qytet për të cilin nuk dija asgjë.
Me klubin debutova më 8 gusht, si zëvendësues në barazimin 2-2 në udhëtim ndaj Diyarbakirsporit. Kurse në ndeshjet vendase ekzistonte në ritual i çuditshëm. Para ndeshjeve sakrifikohej një dhi. Në atë ritual merrnin pjesë trajneri, lojtarët dhe stafi i ekipit.