Blerja e re e Arsenal Henrikh Mikhitarian do të ketë dy numra të ndryshëm skuadre për pjesën e mbetur të sezonit, për shkak të rregullave të UEFA-s në Liga Evropë. Mikhitarian iu bashkua “Topçinjve” të hënën në shkëmbim të Aleksis Sançez i cili shkoi te Mançester Junajtedi, dhe i është dhënë numri i lënë bosh nga kiliani, pikërisht numri 7. Por, armeni nuk mund ta veshë numrin shtatë në Evropë, pasi Sançez e ka përdorur atë numër këtë sezon. “Henrikh Mikhitarian do të veshë fanellën me numrin 7 në Premier Ligë – por do të veshë një numër tjetër në ‘Europa League’,” shkruhet në një komunikatë zyrtare të klubit. “Numri 7 është lënë i lirë nga Aleksis Sançez këtë muaj por, për shkak se sulmuesi e ka veshur gjatë fazës së grupeve në fitoren ndaj FC Koln në shtator, rregullorja e UEFA-s tregon se Mikhitarian duhet të veshë një numër tjetër për pjesën e mbetur të Liga Evropës”. Numri i ri i Mikhitarian do të konfirmohet nga klubi së shpejti.