Punëtorët në vend po ballafaqohen me lëshimin në pushim vjetor apo pushim të detyrueshëm pa një vendim me shkrim, ndërprerje të punës përderisa po zgjat pushimi vjetor apo ai i detyrueshëm, pushim të detyrueshëm për të sëmurët kronik apo nënat me fëmijë deri më 10 vjet…
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 21 maj – Kriza shëndetësore ka ndikuar edhe në uljen dhe realizimin e të drejtave të punëtorëve në vend. Të dhënat e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë tregojnë se në muajt e kaluar, me mijëra punëtorë në vend ballafaqohen me lëshimin në pushim vjetor apo pushim të detyrueshëm pa një vendim me shkrim, ndërprerje të punës – përderisa po zgjat pushimi vjetor apo ai i detyrueshëm, pushim i detyrueshëm për të sëmurët kronik apo nënat me fëmijë deri më 10 vjet. Njëherazi ka pasur edhe ankesa për punëdhënësit që në mënyrë të pabazë e transformojmë marrëdhënien e punës në atë me kohë të caktuar, si dhe lidhur me presionet që punëtorët të nënshkruajnë ndërprerje me marrëveshje të marrëdhënies së punës. Punëtorët janë ankuar edhe për marrëveshjet në vepër të punës, punën e paparaqitur apo në të zezë, punësimet e përkohshme përmes agjencive private për punësime të përkohshme etj.
Nga Lidhja e Sindikatave thonë se punëtorët që kanë kërkuar ndihmë janë nga kompanitë që punësojnë mbi 20 mijë punëtorë, ndërsa të dhëna më të sakta për numrin e ankesave , do të ofrohen pas përfundimit të krizës me korona virusin. “Aktualisht jemi të angazhuar që tu përgjigjemi kërkesave të punëtorëve në tërë vendin, dhe të sigurojmë informimin dhe mbrojtjen e tyre lidhur me të drejtat e marrëdhënies së punës. Evidenca e saktë për këtë çështje do të dihet pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme dhe krizës shëndetësore”, thonë nga Sindikatat.
Nga atje shtojnë se në muajt mars dhe prill, deri tek ta janë ankuar punëtorët e Mak Primat, Kast Invest, Rade Konçar, Inters Turs, Tav, Dalma Katering, Pelister, Krombert dhe Shubert, Drekslemajer, Ki Sejfti, Oilko, Bargalla, Xhonson Meti, Xhojson Sejfti,Teteks Jarn, San invest, Kombinati I Mermerit nga Prilepi etj. Për një pjesë të ankesave të punëtorëve, Lidhja e Sindikatave ka arritur të sigurojë respektimin e ligjit, ndërsa atje ku ka munguar mirëkuptimi janë dërguar parashtresa deri tek Inspektorati i Punës.
Nga Sindikata theksojnë se një numër i madh i paraqitjeve anonime në të shumtën e rasteve po realizohet përmes rrugës elektronike, ndërsa për të drejtat nga marrëdhëniet e punës, përfaqësuesit e Lidhjes së Sindikatave përgjigjen me telefon apo me postë elektronike për këshilla, si dhe për udhëzime se si të veprohet për të realizuar të drejtat e punëtorëve. Njëherësh, pjesa më e madhe e paraqitjeve janë nga punëtorët që nuk janë të organizuar në mënyrë sindikale, andaj kjo e ka vështirësuar punën e sindikatave për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Nga atje shtojnë se edhe kjo situatë e ka konfirmuar qëndrimin e LSM-së, për rëndësinë e madhe që ka organizimi sindikal i punëtorëve, me qëllim të informimit të tyre të tërësishëm, aftësimit dhe përfshirjes në procedurat për njohjen, mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve. (koha.mk)