Fakti që i akuzuari, Sasho Mijallkov, ka banesë dhe biznes në Çeki, krijon rrezik për arratisjen e tij. Këto ishin fjalët e prokurores special Lençe Ristovska, e cila gjatë fjalimi të saj të hënë, nga Këshilli penal kërkoi që të akuzuarit e radhës për rastet “Fortesa” dhe “Target”, ish shefit të DSK-së, Sasho Mijallkov, t’i shqiptohet masa e paraburgimit. Ndërkohë, i akuzuari për “organizim kriminel”, “keqpërdorim të pozitës zyrtare” dhe “pranim të dhuratës me qëllim ndikim të jashtëligjshëm”, Sasho Mijallkov, para Këshillit penal potencoi se çdoherë kur është thirrur nga PSP-ja ai është përgjigjur, me çka shtoi se ka biseduar me prokuroren Katica Janeva për këtë çështje. Ndërkaq, ai nënvizoi se deri më tani vetëm dy herë s’është paraqitur në Gjykatë, pasi ka qenë jashtë shtetit dhe s’ka pasur biletë për t’u kthyer.“Gjithmonë u jam përgjigjur thirrjeve të tyre. Vetëm dy herë s’kam mundur që t’i përgjigjem thirrjes së Katica Janevës, pasi që kam qenë jashtë shtetit dhe s’kam pasur biletë për t’u kthyer. Por, tani do t’u përgjigjem të gjitha ftesave, unë jam i sigurt në pafajësinë time dhe gjithmonë do të jem i kapshëm. Jap fjalë nën përgjegjësi penale dhe materiale se do të jem i kapshëm për Gjykatën”, tha Mijallkov. Ndryshe më 2 korrik, Gjykata Penale e Shkupit, solli vendim për shqiptimin e masës së kujdesit, gjegjësisht marrjes së pasaportës së ish drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Mijallkov. Ky vendim i Gjykatës vjen pasi që Prokuroria Speciale Publike më 1 korrik dërgoi lëndën “Target” në Gjykatë ku kërkohet paraburgim për Mijallkovin.