Trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, do të ndërmarrë së shpejti një tur vëzhgimi për lojtarët e përfaqësueses që luajnë në kampionate të ndryshme europiane, për të parë nga afër gjendjen e tyre dhe mundësinë e afrimit në Kombëtare për duelet e radhës në eliminatoret e Kampionatit Europian, ku Shqipëria bën pjesë në një grup me Francën, Turqinë, Islandën, Moldavinë dhe San Marinon.
Pikërisht ndaj Turqisë do të jetë dhe dueli i parë i këtyre eliminatoreve dhe ndeshja luhet në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës më 22 mars. Duhet thënë se në kuadër të këtyre eliminatoreve, Panuçi do të ndjekë dhe një grup lojtarësh kuqezinj që luajnë në kampionatin grek, ku përfshihen Migjen Basha, Andi Lila (të dy veteranë të përfaqësueses), si dhe të rinjtë që kryesohen nga Fiorin Durmishaj, i cili ka realizuar 10 gola me fanellën e Panioniosit në këtë sezon në futbollit grek. Durmishaj ka kohë që është në fokusin e Panuçit, por forma e mirë dhe golat duket se nxisin ardhjen e tij të shpejtë në radhët e kuqezinjve.
Një tjetër lojtar që është në “radarët” e Panuçit është Enea Mihaj. Ai luan pe Panetoilikos, ka spikatur si lojtar me të dhëna të mira teknike dhe mund të shërbejë shumë në mbrojtje dhe në mesfushë si lojtar krahu, por ende nuk ka një plan të qartë të Panuçit rreth këtij futbollisti. E sigurt është se ai është lojtar i perspektivës dhe trajneri italian i Kombëtares mund ta grumbullojë që tani, pra për duelet e muajit mars. Lojtari ka pasur rendiment në rritje me skuadrën e tij dhe është një nga futbollistët më të mirë teknikë në pozicionin e tij, por gjendja e momentit mbetet të shihet, prandaj dhe Panuçi do ta vrojtojë situatën. Mihaj ka luajtur në 11 ndeshje këtë edicion në kampionatin grek dhe në 3 ndeshje në Kupën e Greqisë. Pra është futbollist që po përmirësohet.
Në kampionatin grek luan dhe Fation Andoni, i cili është pjesë e AEL Larisës. Vlonjati ka spikatur gjatë javëve të fundit dhe në një përballje të zakonshme sezonale në kampionatin grek shënoi para pak ditësh 2 gola në barazimin 2-2 ndaj ekipit të Mihajt. Por vështirë se Andoni do të marrë ftesë nga trajneri Kristian Panuçi, pasi në pozicionin e tij si mesfushor i avancuar apo shkatërrues ka plot në përfaqësuese që luajnë me skuadra më cilësore në Europë.
Së fundmi, një nga lojtarët që është në fokusin e trajnerit Kristian Panuçi është futbollisti 19-vjeçar Emiliano Bullari, i cili ka spikatur si talent i madh dhe është në radhët e Olimpiakosit si futbollist me mjaft të ardhme. Bullari nuk është aktivizuar me skuadrën e parë të Pireut, por shihet si element i perspektivës. Ai besohet se mund të marrë një ftesë në këto eliminatore në mënyrë që të mos na e djegë Greqia. Kjo pasi lojtari është në fokusin e federatës greke të futbollit, e cila po e ndjek me vëmendje dhe nuk përjashtohet mundësia që t’i bëjë ftesë. Dihet që federata greke ka një plan të mirëmenduar, sepse talentet shqiptare tenton t’i angazhojë në ekipin e partë përfaqësues të saj, sa për t’ia djegur Shqipërisë. Por këtë herë Federata Shqiptare e Futbollit është treguar e kujdesshme,m po e ndjek në vijimësi lojtarin dhe e ka angazhuar atë me skuadrat kombëtare të moshave dhe trajneri i U-21 Alban Bushi ka apeluar që ndaj tij të ketë vëmendje të shtuar sepse mund të na e marrë federata greke në kombëtaren e saj.
Për të evituar ndonjë të papritur në lidhje me grekët, atëherë Panuçi mund t’i bëjë ftesë djaloshit shqiptar të Olimpiakosit dhe ta angazhojë të paktën atë në duelet më pak të rëndësishme sikurse janë ato ndaj San Marinos. Megjithatë, për momentin lojtari është me ekipet e moshave të Shqipërisë dhe në këtë edicion mund të luajë për skuadrën Shpresa të Alban Bushit, para se të kalojë në radhët e kuqezinjve të Panuçit. Me pak fjalë, trajneri italian i Kombëtares ka punë të rëndësishme për të bërë në seleksionimin dhe evidentimin e elementëve cilësorë shqiptarë në futbollin grek.