Ulje e numrit të lëndëve është prezente si te lëndët pronësore, ashtu edhe te lëndët familjare, trashëgimore, vërtetime penale dhe ato me vula apostile. Një rritje gjatë vitit të kaluar kishte vetëm tek lëndët penale – edhe atë kryesisht për shkak të lëndëve gjyqësore që lidhjen me dënimet e institucioneve lidhur me pandeminë Kovid-19
Vjollca SADIKU
Dibër, 21 janar – Në Komunën e Dibrës, pandemia Kovid-19 ndikoi edhe në sferën e gjyqësorit. Sipas raportit vjetor të Gjykatës Themelore në Dibër, ka një rënie drastike të lëndëve gjyqësore. Gjatë vitit 2020 janë regjistruar gjithsej 6688 lëndë të reja, kurse në krahasim me një vit më parë, respektivisht më vitin 2019, ky numër është shumë më i vogël meqë para dy vitesh – numri i lëndëve ishte 8415. Po ashtu pandemia ka ndikuar edhe në zgjidhjen e lëndëve. Vitin e kaluar janë zgjedhur 6699 lëndë, kurse një vit më parë, gjegjësisht në vitin 2019, numri i lëndëve të zgjidhura ka qenë 8710.
Kryetari i Gjykatës Themelore në Dibër, Ilir Iseni, thekson për KOHA se ulja drastike e numrit të lëndëve të reja, por edhe të lëndëve të zgjedhura drejtpërdrejt është rezultat i prezencës të pandemisë Kovid-19. Ai thekson se në kushte në të cilët ishte duke punuar gjyqësori në Dibër, por edhe më gjerë , qytetarët kanë qenë të kufizuar me dorëzimin e lëndëve të reja, por edhe gjykata nuk ka mundur ti realizojë lëndët për shkaqe të problemeve që kanë dalë gjatë procesit gjyqësor me dëshmitarë-persona që janë jashtë shtetit. Kryetari Iseni thekson se ulja e numrit të lëndëve është prezente si te lëndët pronësore, ashtu edhe te lëndët familjare, trashëgimore, vërtetime penale dhe ato me vula apostile. Një rritje gjatë vitit të kaluar kishte vetëm tek lëndët penale – edhe atë kryesisht për shkak të lëndëve gjyqësore që lidhjen me dënimet e institucioneve lidhur me pandeminë Kovid-19. Njeriu i parë i gjykatës në Dibër thekson se në vitin 2020 ka patur 93 lëndë penale të reja, kurse në vitin 2019 – 58. Gjatë vitit të kaluar janë zgjidhur 96 lëndë penale – që do të thotë të gjitha lëndët e reja të vitit të kaluar dhe tre lëndë të tjera të mbetura nga viti 2018. Tek lëndët penale, sqaron Iseni, ka një rritje prej 35 për qind. “Gjykata ka qenë shumë efikase sa u takon këtyre lëndëve, por edhe lëndëve të tjera”, informon Iseni.
Sa u takon lëndëve pronësore, vitin e kaluar ka patur 18 lëndë të reja, kurse janë zgjidhur gjithsej 23 meqë ka patur edhe lëndë të mbetura. Lëndët familjare po ashtu kanë një ulje prej 12 për qind. Në 2020 janë pranuar gjithsej 28 lëndë të reja, por një vit më parë ka patur 40 lëndë. Edhe tek këto lëndë ka një efikasitet të madh meqë përveç lëndëve të vitit 2020, janë zgjidhur edhe lëndë nga vitet e kaluara dhe numri i lëndëve të zgjedhura është 44.
Lëndë trashëgimore janë një problem i madh në Dibër dhe rajon. Në Gjykatën Themelore theksojnë se për shkak të migrimit të popullatës, shumë lëndë trashëgimore nuk mund të zgjidhen në kohë. Ndarja e pasurisë ka shkaktuar probleme edhe në sferën e gjyqësorit. Në vitin 2020 janë regjistruar gjithsej 202 lëndë të reja trashëgimore, por janë zgjidhur vetëm 160. Për shkak të problemeve kanë mbetur pa zgjidhur 263 lëndë nga viti i kaluar, por edhe të tjera nga vitet e mëparshme. Vetëm nga viti 2018 kanë ngelë pa zgjodh 199 lëndë. Të theksojmë se numri i vërtetimeve penale për vitin që kaloi është 1968 dhe në krahasim me vitin 2019 është shumë më i vogël, meqë në vitin 2019 ka patur 2676 lëndë të reja.
“Edhe pse ka punuar në kushte të pandemisë, Gjykata Themelore e Dibrës ka qenë efikase. Gjykatësit kanë qenë maksimalisht të angazhuar në zgjidhjen e lëndëve. Një efikasitet maksimal kanë treguar sidomos tek lëndët penale”, thotë për gazetën KOHA, kryetari i gjykatës, Ilir Iseni. (koha.mk)