Vjollca SADIKU
Dibër, 1 shkurt – Plaga më e rëndë e dibranëve – migrimi, mes tjerave lë pasoja të mëdha edhe në marrëdhëniet familjare. Pesë vitet e fundit, për shkak të vazhdimit të migrimit nga ana e të rinjve, ka një rritje drastike të numrit të divorceve. Jeta e ndarë familjare, për shkak të kurbetit, ndikon në shkurorëzimet. Këtë për gazetën KOHA e pohojnë institucionet kompetente lokale, siç janë Gjykata Themelore e Dibrës, Qendra për Punë sociale dhe institucionet shëndetësore.
Në Gjykatën Themelore të Dibrës informojnë se gjatë vitit 2016 janë pranuar 51 lëndë për divorce. Është ky numër dyfish më i madh në krahasim me lëndët që janë pranuar gjatë vitit 2011, thekson ushtruesi i detyrës kryetar i Gjykatës Themelore në Dibër, Ilir Iseni. Ai për KOHA thotë se përderisa në vitin 2011 ishin regjistruar gjithsej 24 lëndë për divorcin, vitin e kaluar janë evidentuar mbi 50 lëndë. Është ky një numër i dyfishuar, i cili është një shqetësim shoqëror, thekson Iseni. Kur bëjmë fjalë për divorcet, në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë thonë në Gjykatën Themelore, divorcet kryesisht i bëjnë çifte bashkëshortore të rinj, të cilët jetojnë pjesërisht të ndarë. Pas martesës dhe vendosjes së kurorëzimit kryesisht të rinjtë marrin rrugën e kurbetit, dhe për një kohë të shkurtër ata vendosin që të divorcohen.
Duke marrë parasysh këtë dukuri, e cila në pjesën më të madhe shkaktohet nga migrimi masiv i të rinjve, edhe atë në shtet të Unionit Evropian dhe në SHBA, punëtorët social vlerësojnë se është një problem që shkaktohet për shkak të jetesës së ndarë. Problemet familjare të këtij lloji shkaktojnë shqetësime, por edhe trauma, meqë shpesh herë divorcet përfundojnë edhe pse bashkëshortët kanë fëmijë. Në Qendrën për punë sociale theksojnë se problemi në fjalë është akut dhe shërbimet sociale, kryejnë obligimet e tyre dhe tendencën për bashkim të partnerëve, por meqë pjesa më e madhe e atyre që vendosin të bëjnë divorc jetojnë jashtë vendit, sukseset për pajtime janë minimale.
Institucionet kompetente, sidomos Gjykata Themelore, janë të mendimit se edhe pse mund të ketë raste të divorceve me marrëveshje të cilët janë divorce fiktive për të arritur interesa dhe për t’u pajisur me dokumente, duke realizuar martesa jashtë vendi, ata rëndë zbulohen. Vet fakti që para gjykatës të dy palët bien dakord, tregon se janë arritur faktet ligjore për t’u bë shkurorëzimi. Dukuria e divorceve në Dibër dhe rrethinë ka marrë një hov pas viteve të 90-ta, meqë deri atëherë rastet të divorceve ishin të rralla. Me fillimin të migrimit masiv, kjo dukuri nga viti në vit rritej dhe sot ka arritur në nivel teje shqetësues .
Pasojat e divorceve janë të shumëfishta, theksojnë punëtorët sociale. Ndarja e bashkëshortëve shkakton probleme nëpër familje, e sidomos ato probleme janë të mëdha kur ata kanë fëmijë. Në Gjykatën Themelore thonë se një ndër problemet kryesore pas divorcit është problemi i pagesës së alimentacionit për fëmijë. Në këtë drejtim, është evidente se pjesa më e madhe e prindërve nuk paguan alimentacionin në kohën e duhur, prandaj pala tjetër është e detyruar që të bëjë pagesa të detyrueshme nëpërmjet institucioneve gjyqësore. Nga ana tjetër, punëtorët social theksojnë se pas divorcit, shpesh herë ndodh që partnerët të ballafaqohen me problem të tjera familjare, sidomos rreth përcaktimit me kë do të jetojë fëmija. Në një situatë të këtillë shfaqen edhe probleme të tjera psikologjike, shëndetësore, sociale etj.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.