E braktisa vendim tim meqë isha i detyruar. Lufta më detyroi që ta braktis familjen dhe miqtë. Shpeshherë, pak mjaftonte që të më burgosnin shkaku i aktiviteteve politike, meqë isha kundër regjimit shtetëror dhe fetar. Ëndërroja për sistem të lirë dhe demokratik në vendin tim, andaj nëna pa ndalë insistonte që të largohem nga vendi, dhe pikërisht atë e bëra…
Jam Ibrahim Mardini. Kam 25 vjet, me origjinë nga Siria. Pasi që diplomova në Fakultetin e drejtësisë në Alepo, Siri, punoja si shitës në një shitore para se të niste lufta, njëkohësisht edhe si vullnetar në një organizatë humanitare gjatë luftës. Derisa isha në Siri, jetoja me prindërit. Nëna dhe babai im ishin të rëndomtë, dhe mjaft të shoqërueshëm.
Më mungojnë shumë gjëra nga regjioni im, veçanërisht ushqimi që gjyshja ime përgatiste gjatë festave. Më mungon shumë familja, më mungon edhe ushqimi i shijshëm i nënës sime dhe mirësia e saj. Më mungon edhe zemërimi i babait tim, i cili bëhej qesharak kur bëhej nervoz; në vend që të nervozohesha kur ai zemërohej, unë vetëm qeshesha. Më mungojnë shakatë e vëllait, bile edhe ato që nuk ishin qesharake. Më mungon opsesioni qesharak i motrës me modën, dhe me botën e të bukurës. Më mungojnë edhe bisedat me shokun tim më të mirë, të cilin e kisha si vëlla. Shkonim në park ku shpesh këndonim bashkë. Ai dëshironte të bëhej këngëtar dhe të aplikojë në Akademinë e Yjeve në Liban, por për fat të keq nuk mundi të shkojë shkaku i luftës. Edhepse, të jem i sinqertë, këndonte tmerrësisht, unë e përkrahja meqë nuk doja t’ia shkatërrojë ëndrrat.
E braktisa vendim tim meqë isha i detyruar. Lufta më detyroi që ta braktis familjen dhe miqtë. Shpeshherë, pak mjaftonte që të më burgosnin shkaku i aktiviteteve politike, meqë isha kundër regjimit shtetëror dhe fetar. Ëndërroja për sistem të lirë dhe demokratik në vendin tim, andaj nëna pa ndalë insistonte që të largohem nga vendi, dhe pikërisht atë e bëra.
Ashtu filloi rrugëtimi që nuk ishte i zakontë. Në Turqi ishte shumë vështirë që të jetoje si sirian. Nuk kishte punë, pos nëse je i pasur. Kontradiktore, apo jo? Aplikova që të regjistrohesha, por nuk më dhanë status refugjati me të cilin do të isha i pranuar si refugjat, edhepse vija nga rajoni i luftës. Pa status refugjati nuk kisha të drejtë as të punojë, andaj punoja ilegalisht në kushte jashtëzakonisht të këqija. Punoja në fabrikë për xhel për flokë, punoja jashtë orarit çdo ditë, ndërsa fitoja shumë pak. Megjithatë shumë e doja Stambollin, dhe mishmashin e qytetërimit lindor dhe perëndimor.
Mëpastaj, kur ishim ngatërruar në kufirin serb në vitin 2016, kushtet ishin vërtet të tmerrshme, ishte shumë ftohtë, me shi, baltë… asnjë shtet nuk donte të na pranojë. Nuk kishte as vajtje, as kthim. Një grua në moshë ishte me ne, refugjate 62 vjeçare, që e kisha farefis. Ajo gati se ishte ngrirë nga të ftohtit. Thirrëm mjek, por mjeku qeshej duke thënë: “Edhe ashtu ka 62 vjet, edhe po të vdiste, është në moshë, s’bëhet nami.”…
Pastaj na kthyen në Maqedoni.
Nuk mundesha të mbetem në Maqedoni, meqë mundësitë ishin të kufizuara, gjegjësisht rreth 40% nga banorët ishin të papunë, vështirë se refugjati i cili as që e flet gjuhën e vendit, do të gjindte punë në ato kushte të rënda për vetë banorët e Maqedonisë.
Por më pëlqente edhe Maqedonia, më pëlqenin njerëzit në Maqedoni, u miqësuam dhe shumë më ndihmuan. Kur mbërrita në Gjevgjeli, maqedonasit frikësoheshin nga ne, dhe nuk dëshironin të jemi miq. Por më vonë kur u njoftuam më mirë, kuptuan se nuk jemi terroristë ashtu siç na paraqisnin mediumet, dhe se jemi njerëz të rëndomtë. Ashtu filluan të na pëlqejnë, dhe bile disa nga ata filluan të qajnë kur lëshuam Maqedoninë.
Duke mos mundur të vazhdojë në veri, prapë u ktheva në Greqi, vendi për të cilën lexoja që kur isha fëmijë. Më pëlqente filozofia dhe civilizimi grek. Kujtoj kur isha në moshën 11 vjeçare, bleva një libër që të mësoj gjuhën greke. Nëna ime ishte e shokuar, dhe pandalë më thoshte se nëse do mësoja anglishten apo frëngjishten, do të kisha më tepër dobi, por unë vazhdoja duke mësuar gjuhën greke derisa nuk u aftësova për të lexuar. Greqia gjithashtu është një vend i mrekullueshëm, por shkaku i krizës ekonomike, vendosa që mos të qëndroj aty, dhe të aplikoj në vend tjetër evropian.
Tani jetoj në Francë, mësoj gjuhën frenge në një nga universitetet këtu, me shpresë që të vazhdojë studimet për të drejtat e njeriut ose raportet ndërkombëtare. Franca është vend shumë i mirë, ku respektohen të drejtat e njeriut. Por prapë më mungojnë Maqedonia dhe Greqia, përkundër asaj që hoqa të zitë e ullirit derisa qëndrova atje, njerëzit që ishin me mua në këto dy vende mu bënë si familje, kaluam momente të paharrueshme, andaj mendoj se nuk do të njoftoj njerëz të tillë në jetë.
Po qe se do të ndërpriste lufta në Siri, do doja që të kthehem, dhe t’i ndihmoj vendit tim. Meqë, kur humbim tokën tonë, bëhemi të pastrehë. Edhe po të jetonim në “vende të parajsës”, do mbetemi të pastrehë.
(Rrëfimet janë të mbledhura nga aktivistë të Legisit, ndërsa janë të përkrahura nga GIZ në emër të BMZ. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim, jo domosdoshmërisht pajtohen me qëndrimet e Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammmenarbeit (GIZ) GMBH)