Migrantët aktiv edhe në janar

2

Në aksionet e fundit policore për zbulimin e emigrantëve kanë marrë pjesë edhe nëpunës policor nga Republika e Çekisë dhe Austrisë

Omer XHAFERI

Shkup, 13 janar – Grupet e migrantëve, të cilët dëshirojnë që përmes Maqedonisë së Veriut të depërtojnë drejtë vendeve të Evropës, janë aktiv edhe gjatë vitit 2020. Raportet policore flasin se vetëm në dhjetë ditët e para të janarit janë zbuluar dhjetëra emigrantë, të cilët nga Greqia janë futur ilegalisht në Maqedoninë e Veriut. Në aksionet e fundit policore për zbulimin e emigrantëve kanë marrë pjesë edhe nëpunës policor nga Republika e Çekisë dhe Austrisë, shkruan gazeta KOHA.
“Sipas të dhënave të policisë, më 10 janar, në ora 15:55 nga ana e nëpunësve policor në ‘Bogorodicë’ dhe nëpunësve policor nga Republika e Çekisë dhe Austrisë, gjatë kontrollit të një treni ngarkues në Gjevgjeli, i cili ka arritur nga Republika e Greqisë, në ora 15:25, janë zbuluar 42 emigrantë ilegal, prej të cilëve 38 nga Moroko, dy nga Siria dhe dy nga Alzhiri. Të njëjtit më pas janë dërguar në Qendrën e pranimit për transit në Gjevgjeli. Në po të njëjtën ditë, sipas MPB-së, në një tren tjetër të arritur nga Greqia, ekipet policore së bashku me nëpunës policor nga Republika e Kroacisë, kanë zbuluar 20 migrantë ilegal, prej të cilëve tetë nga Pakistani, shtatë nga Afganistani, tre nga Moroko dhe dy nga Alzhiri. Ngjashëm si grupi paraprak, edhe këto janë dërguar në Qendrën e pranimit për transit në Gjevgjeli”, thonë nga MPB.

Përveç aksioneve policore të realizuara në afërsi të Gjevgjelisë, MPB gjatë javës së kaluar ka vepruar edhe ndaj trafikantëve të migrantëve. Më 9 janar, një aksion i tillë është realizuar në afërsi të Kratovës. Siç informojnë nga MPB, nëpunësit policor në këtë rast e kanë arrestuar një qytetarë të Bogdancit, pasi gjatë kontrollit të automjetit “Audi A6”, me targa të Bullgarisë, i cili ka qarkulluar në rrugën Stracin-Kratovë, janë zbuluar nëntë emigrantë. Pas marrjes në pyetje është konstatuar se bëhet fjalë për shtetas të Egjiptit.

“Shoferi i automjetit është arrestuar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të iniciohet procedurë përkatëse. Ndërkohë, emigrantët e kapur janë dërguar në Qendrën e pranimit për transit në Gjevgjeli dhe një pjesë në Gazi Babë, në Shkup”, thonë nga MPB.
Ndryshe, të dhënat e MPB-së, për nëntë muajt e parë të vitit 2019, thonë se mbi 18 mijë emigrantë janë parandaluar që të futën ilegalisht në Maqedoninë e Veriut. Gjatë kësaj periudhë në vitin 2018 ishin zbuluar 13 mijë raste. Kufiri jugor me Greqinë mbetet ende pika më kritike nga ku futën emigrantët. Për dallim nga vitet 2015-2016 kur pjesa dërmuese e emigrantëve vinin nga Siria dhe Iraku, në vitin 2019 në Maqedoninë e Veriut, më tepër ilegalisht kanë tentuar të futen shtetas të Pakistanit, (mbi 6 mijë të tillë), pastaj vijojnë shtetasit e Afganistanit, mbi 4 mijë. Tutje, rreth 1.800 prej Bangladeshi, rreth 1 mijë prej Indie dhe nga shtete tjera nga Azia dhe Afrika. (koha.mk)

Comments are closed.