Krahas shkollës fillore “Migjeni”, po ashtu sallë e sportit mungon edhe në Gjimnazin e Tetovës “7 Marsi”. Nga Sektori për arsim në Komunën e Tetovës shpresojnë që edhe kjo shkollë të jetë në planin e Qeverisë. Nga ky sektor informojnë se qëllimi ka qenë që edhe shkollat në Malësinë e Sharrit të kenë objekte sportive, që edhe ata nxënës të mësojnë në kushte më të mira orën e edukatës fizike
Urim HASIPI
Tetovë, 17 korrik – Shkolla fillore “Migjeni” në Tetovë është ndër shkollat që ka numër më të madh të nxënësve, por këta nxënës, së bashku me profesorët e dukatës fizike, kanë mungesë të një sallë sporti. Ata edhe në kushte jo të favorshme klimatike orët e mësimit i ndjekin jashtë, shkruan gazeta KOHA. Kërkesa për një sallë sporti që moti është adresuar tek institucionet përkatëse, por deri më tash nuk ka patur një përgjigje pozitive.
Së fundmi, nga Komuna e Tetovës kanë nënvizuar se janë bërë kërkesat e nevojshme për sallë sporti për dy shkolla fillore në qytetin e Tetovës. “Keni parasysh se kemi ndërtuar sallë sportive në shkollën fillore “Rexhep Voka” në Shipkovicë, ku pritet që të bëhet përurimi i saj. Po ashtu me sallë sporti është pajisur edhe shkolla fillore “Përparimi” në Reçicë të madhe. Në planin tonë investues është paraparë që në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të ketë sallë sporti. Çdo vit jemi duke përuruar nga një palestër sportive. Sa i përket shkollës fillore “Migjeni”, që së bashku me shkollën fillore “Kikish”, janë dy shkolla ku është paraparë të fillojë ndërtimi. Besoj se së bashku me MASH sa më shpejtë do të fillojë ndërtimi në Shkollën fillore “Migjeni”, tha Ahmet Qazimi, udhëheqësi i Sektorit për arsim pranë Komunës së Tetovës.
Krahas shkollës fillore “Migjeni”, po ashtu sallë e sportit mungon edhe në Gjimnazin e Tetovës “7 Marsi”. Nga Sektori për arsim në Komunën e Tetovës shpresojnë që edhe kjo shkollë të jetë në planin e Qeverisë. Nga ky sektor informojnë se qëllimi ka qenë që edhe shkollat në Malësinë e Sharrit të kenë objekte sportive, që edhe ata nxënës të mësojnë në kushte më të mira orën e edukatës fizike. “Për të gjitha shkollat e mesme dhe fillore ka projekte. Ato janë vendosur në planin investues apo në planin operativ për ndërtimin e palestrave sportive dhe tani e dimë që shkollat e mesme kanë palestra, përveç shkollës së mesme të re Gjimnazi “7 Marsi”. Edhe atje planifikojmë që të ndërtojmë, kurse sa i përket shkollave fillore, kemi në disa shkolla palestra, kurse qëllimi ynë ka qenë që të ndërtojmë në shkollat rurale apo në Malësi”, deklaroi Qazimi.
Këtë vit pritet që të fillojë ndërtimi i një salle sporti në Tetovë, në shkollë fillore por nuk dihet se në cilën shkollë akoma.
“Shpresojmë që sivjet do të fillojnë punët dhe të vendoset gurëthemeli për palestër sportive në një shkollë fillore në qytetin e Tetovës dhe shpresojmë që të jetë shkolla “Migjeni”, tha ai. (koha.mk)